Sot dita e Alfabetit shqip

Sot në Maqedoni shqiptarët shënojnë 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 107 vjet më parë në Kongresin e Manastirit.

Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare.

Kongresi i Manastirit u zhvillua nga 14-22 nëntor të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.
Në kudër të aktiviteteve për shënimin e 22 nëntorit, Ditës së Alfabetit, sot në Manastir do të jetë së bashku ministrat e arsimit të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, Abdilaqim Ademi, Lindita Nikolla dhe Arsim Bajrami.

Gjatë gjithë datës 22 nëntor do të ketë aktivitete të shumta në Manastir.

Sipas Ligjit të festave në Maqedoni, 22 Nëntori-Dita e Alfabetit të gjuhës shqipe është ditë jo pune për qytetarët shqiptar në Maqedoni.

Kështu ka bërë të ditur , Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e cila njëkohësisht pjesëtarëve “të komunitetit shqiptar në Maqedoni ua uron Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe”.

Shperndaje