Berishaj: Do të votoj Alternativën Shqiptare

Miq të nderuar,

përkundër rregullave në një demokraci të zhvilluar, ku vota e secilit individ është çështje e tij personale (madje edhe intime), si pjesëtar i një shoqërie me një “demokraci të brishtë” desha vetëm t’i shpalos disa nga mendimet e mia lidhur me Zgjedhjet lokale në Malësi, më 26 nëntor 2017.

1. Shumë malësorë e quajtën dështim faktin që partitë shqiptare nuk dolën me një listë të përbashkët. Unë nuk e quaj edhe aq tragjike një gjë të tillë. Në fund të fundit, nëse është vullneti i partive shqiptare i mirëfilltë, edhe ne si malësorë kemi të drejtë në një pluralizëm të mendimeve, ideve dhe zgjidhjeve të ndryshme.
2. Me qëllim nuk po merrem me lista tjera, ngase jam thellë i bindur se malësorët e mi, në ato lista (të partive joshqiptare) nuk mund të gjejnë as programe politike, e as persona që mund të prezantojnë në mënyrë më dinjitoze problemet dhe dëshirat tona, seç janë shumica e kandidatëve në të tri listat shqiptare.
3. I kemi tri lista konkurruese shqiptare:
1. Unionin demokratik të shqiptarëve
2. Alternativën shqiptare
3. Lidhjen demokratike shqiptare
Që të tri listat i njohim mirë, si nga veprimtaria e tyre, nga prezantimi parazgjedhor tani, e po ashtu edhe përbërjen e tyre personale. Në aspektin nacional të tri listat kanë pothuaj kërkesa të njëjta (lexo: nuk kanë dallime programore!!!). Shumicën e kandidatëve në lista i respektoj personalisht, qoftë si intelektualë (të rinj dhe jo aq të rinj), por para së gjithash si njerëz të vullnetit të mirë (ndër malësorë edhe një karakteristikë e rëndësishme – janë pinjollë të familjeve të njohura).
4. Gjeja më e dobët që mund të na ndodhin si komunitet është të mos dalim në vota. Pse?
Partitë tjera (quaj qytetare, apo joshqiptare!) i kanë votuesit e vet të sigurt, që me një disiplinë të “urdhëruar” partiake do të votojnë për listën “e vet”. Kapaciteti i tyre dihet paraprakisht dhe gabimi statistikor mund të jetë shumë i vogël.

Por vota duhet t’i jepet vetëm njërës listë. CILËS?
I tërë opinioni e di mirëfilli se UNË JAM JASHTËPARTIAK ME BINDJE.
Pra, çka do të më përcaktojë mua kur të jam vetëm për vetëm, në kabinën e votimit, para ndërgjegjes sime si votues e si malësor ta rrethoj njërën.
Me qëllim po i jap publikisht mendimet e mia që ndoshta do t’i bëjnë votuesit malësor së paku të reflektojnë vet me veten.

– Listën e parë, atë të UDSH do ta përjashtoj i bindur se lista e tyre njëkonfesionale nuk është ajo që i duhet Malësisë. Në anën tjetër, ajo për të cilën me dekada po angazhohet Malësia – Komuna e plotë, u shty dhe u stërshty para së gjithash falë politikës dhe veprimeve të liderit shumëvjeçar të tyre (sot ambasador!).

– Listën e tretë LDSH-në do ta përjashtoj edhe për shkak të hutisë që e bënë ndër votuesit, duke u deklaruar herë si partia më e vjetër, pra LDMZ (kur duhet të merren meritat), e herë si parti tjetër. Por edhe për faktin se dikush nga kulmi i piramidës së saj një kohë të gjatë është marrë me TRAFIKIMIN E NJERËZVE, ose ta shkruaj shkurt shqip me përcjelljen e malësorëve të ri për Amerikë, e që për një shërbim të tillë merrte “honorarë” të majmë (në praktikën gjyqësore të shteteve normale kjo do të ndëshkohej rreptësishtë!).

– Mbetet lista e dytë – ALTERNATIVA SHQIPTARE – lista që personalisht do ta rrethoj pa mëdyshje. Një fakt tjetër që më tërheq në këtë rast është edhe bashkimi i Alternativës me Iniciativën, si gjest pozitiv politik.

P.S. Në një bisedë me njërin nga udhëheqësit fetarë të Malësisë, i thash: “Do të doja që të ishit siç ishin dikur Fishta, Gjeçovi, Harapi …, por pasi nuk jeni, mua më duhet tu respektoj për veprimin që zhvilloni”

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!