Ratko Mladiq dënohet me burgim të përjetshëm

Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë ka shqiptuar dënim me burg të përjetshëm për ish-komandantin serb Ratko Mladiq.

Gjykata e Hagës, e themeluar nga Kombet e Bashkura për hetimin e krimeve gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, dënoi Mladiçin, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, me burg të përjetshëm për krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe shkeljen e ligjeve të luftës.

Ai u shpall fajtor për dhjetë nga gjithsej 11 pikat që gjendeshin në aktakuzë.

Ish-gjenerali serb është dënuar edhe për gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995, në të cilën ushtarët serbë vranë mbi tetë mijë meshkuj boshnjakë. Gjykata shpalli se ai është përfshirë në gjenocid, persekutim, asgjësim, vrasje dhe akte çnjerëzore të transferimit me forcë në Srebrenicë.

Krahas gjenocidit në Srebrenicë, Mladiç u shpall fajtor edhe për dëbim, asgjësim, robërim, vrasje, deportim dhe sulme antiligjore kundër civilëve.

Ndërkaq, Mladiç nuk është dënuar për pikën e parë të aktakuzës, në të cilën akuzohet për “gjenocid” në qytetet Kljuç, Sanski Most, Kotor-Varos, Prijedor, Foça dhe Vlasenica.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!