Ivanaj: Në KU të Tuzit gjithçka funksionon mbrapsht, edhe një pjesë e opozitës

Këshilltari i LDnëMZ në Kuvendin e KU Tuz dhe anëtarë i KKSH-së Ivan Ivanaj për portalin tonë thotë se kohën e fundit numri i të rinjve në politikë po rritet, por ky trend nuk mund të shikohet vetëm nga aspekti pozitiv, sepse një numër i konsiderueshëm i këtyre të rinjve aktivizohet në politikë vetëm dhe vetëm për interesa personale, e jo për ideale. Prandaj, as qëndrimi i tyre në politikë nuk mund të jetë afatgjatë, sepse zgjatë vetëm aq sa zgjatë interesi.

Të rinjtë të cilët vendosin të kyçen në jetën politike, që përmes politikës t’i kontribuojnë të mirë së përgjithshme, të kontribuojnë për zhvillimin e gjithanshëm të komunitetit shqiptar këtu në Mal të Zi, duhet të sakrifikojnë shumë çka. Natyrisht se të rinjtë duhet të shikojnë edhe për mirëqenien e vet dhe për të ardhmen e vet, por atë duhet ta shohin në mirëqenien e përgjithshme dhe në të ardhmen e të gjithëve.

A mendoni se është më mirë të rinjët të aktivizohen në parti politike nacionale apo ato qytetare?

Për ata që politikën e kuptojnë dhe e shfrytëzojnë si mundësi për të arritur privilegje të ndryshme personale, për ata që nuk e kanë problem t’i shërbejnë dikujt në dëm të vendit dhe të kombit, patjetër që zgjidhje më e mirë janë subjektet “qytetare” . Por, për ne që ndjekim ideale të pastra kombëtare, për ne që nuk jemi të gatshim të shesim shpirtin dhe fytyrën për salltanete të ndryshme, për ne që mendojmë se Malësia nuk mund të ketë status më poshtë se të komunës së plotë, mbetet që të veprojmë vetëm përmes subjekteve kombëtare. Pra varësisht nga ajo, a synojmë të mirën personale apo atë të përgjithshmen, do ta bëjmë edhe përzgjidhen midis partisë “qytetare” dhe asaj kombëtare.

Si e vleresoni punën e pushtetit aktual ne Malësi?

Pushteti aktual ne Malësi nuk punon! Edhe pse në KU të Tuzit numri i të punësuarve, të cilët i marrin rrogat në kurrizin tonë, është i mjaftueshëm edhe për një komunë të plotë, efekti i punës së tyre është fare i padukshëm. I padukshëm sepse nuk ekziston, në rend të parë për shkak të statusit që ka, e që nuk i jep hapësirë. Aty nuk ka projekte, nuk ka plane, nuk ka kontroll të shpenzimeve dhe kryesisht mjetet shpenzohen për të kënaqur aspiratat e përkrahësve politikë. Kështu është puna edhe me punësime edhe me investime. Ajo që është karakteristikë e kësaj administrate, se pushtet nuk mund ta quajmë, është indiferenca e madhe ndaj kërkesave të popullatës lokale dhe inferioriteti i paparë në raport me Podgoricën.

Si e vleresoni punën e opozitës në Kuvendin e KU Tuz?

Në KU të Tuzit gjithçka funksionon mbrapsht, prandaj edhe një pjesë e opozitës. Nuk është e logjikshme, e as praktikë politike, që në nivel lokal dikush luan rolin e opozitës, kurse në atë republikan, me të njëjtit ata që janë në pushtet lokal, bëjnë shumicën dhe kanë përfaqësues në qeveri. Nuk është normal kur një pjesë e opozitës nuk voton kundër Planit financiar, e me të gjitha diskutimet e kundërshton. Nuk është normale kur një pjesë e opozitës, kundër “bindjeve” të veta dhe kundër zotimeve të veta, nënshkruan kërkesën për komunë të kryeqytetit, dhe me vullnetin e vet e sjellë Malësinë në pozitë inferiore ndaj trevave të tjera në Malin e Zi. Drua se një opozitë e këtillë i shkon në favor shumicës, por dua të shpresoj se rastet e këtilla do t’i takojnë të së kaluarës. Megjithatë, kjo opozitë edhe e këtillë, sidomos fal angazhimit të klubit tonë të këshilltarëve, ka arritur të artikulojë kërkesat tona dhe të ngre zërin për të gjitha anomaljet e kësaj administrate dhe më gjerë.

Cili është opinioni juaj mbi punen e KKSH?

KKSH dy vitet e fundit, edhe pse i kufizuar me anë të ligjit, po ashtu edhe me resurse njerëzore dhe materiale, ka bërë shumë në përmirësimin dhe aktualizimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi. KKSH është angazhuar në rritjen e kuotave në universitet shqiptare per studentet nga Mali i Zi, ka arritur që në shkollat shqipe në Mal të Zi, të fus në përdorim Abetaren kombëtare, edhe pse jo si tekst kryesor. Poashtu ka siguruar mënyrën e për t’i vazhduar jetën të vetmes së të përjavshme në gjuhën shqipe “Koha javore”. Natyrisht se shumëçka mbetet për të dëshiruar, mirëpo, në rrethanat e caktuara nuk mund të themi se ka stagnuar. Siç e shihni, ka vërejtje në punën e KKSH, por shumica e vërejtjeve vijnë nga njerëz të cilët janë të pakënaqur me statusin e vet në këtë Institucion kombëtar. Them shumica, e jo të gjitha, pasi që me siguri, ka edhe vërejtje me vend! Ma kalimin e kohës, me arritjen e përvojës, me ndërrimin e gjeneratave, edhe puna e KKSH do të avancohet.

Cili është vleresimi juaj për qeverinë Gjukanoviq?

Qeveri e cila nuk ka bërë gjë në përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi. Qeveri e cila nuk ka bërë gjë në përmirësimin e standardit jetësor. Qeveri, e cila pro-formë ka punuar në avancimin e statusit drejt integrimeve euro-atlantike. Qeveri, e cila më së shumti ka punuar në përmirësimin e statusit të establishmentit partiak dhe familjarëve të tyre. Në fund qeveri jo legjitime, e bazuar në parlament që funksionon fal korrupsionit politik, shit-blerjes, grabitjes dhe tjetërsimit të mandateve.

Me datën 25 janar është votbesimi i qeverisë, si mendoni se duhet të veprojnë deputetët shqiptarë?

Përgjigja paraprake, tregon se si do të duhej të sillen deputetët shqiptar. Gjithsesi, per shqiptaret nuk duhet të jetë çështje dominante lufta pozitë-opozitë malazeze, sepse e kemi parë se kur janë në pyetje ligjet diskriminuese ndaj shqiptarëve, siç ishte ligji zgjedhor, pozita dhe opozita janë të bashkuara.

Në fund stafi i Malësia.ME falenderon z.Ivanaj për bashkëpunimin duke i uruar sukses në karierën e tij.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!