Kosovë: Opozita ngre çadrat para Qeverisë, protestë 24 orë

Vetëvendosje, Nisma dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë vendosur të ndryshojnë strategji në protestat e tyre kundër Qeverisë.

Aktivistë të partive opozitare kanë filluar ngritjen e tendave (çadrave) para objektit të Qeverisë në sheshin “Skënderbeu”, ku do të qëndrojnë aty, siç janë shprehur ata deri në dorëheqjen e kësaj qeverie.

Opozita ka paralajmëruar se në këto tenda do qëndrojnë gjatë 24 orëve, dhe nuk do të largohen nga aty deri në plotësimin e kërkesave të tyre.E përveç qëndrimit në shesh, ata kanë thënë se do të vazhdojnë të protestojnë edhe në Kuvend, si dhe kanë paralajmëruar edhe një protestë gjithëpopullore me 27 shkurt.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visa Ymeri, tha se nga sot “do ta fillojmë protestën e vazhdueshme kundër këtij regjimi antikushtetues, kjo protestë do të vazhdojë deri në rrëzimin e kësaj qeverie, kjo që do ta ndërtojmë në shesh do të jetë si infrastrukturë e protestës”.

Udhëheqësit e partive opozitare thanë se kanë marrë leje për vendosjen e tendave nga komuna e Prishtinës, kryetar i së cilës është Shpend Ahmeti nga lëvizja Vetëvendosje.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!