Maqedonia, në udhëkryq. Shqiptarët, kundër shpërndarjes së Parlamentit(Video)

Deputetët e partive shqiptare, BDI dhe PDSH, kanë ndërmarrë një nismë për të anuluar vendimin për shpërbërjen e Kuvendit ditën e mërkurë, për t’i hapur në këtë mënyrë rrugë shtyrjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që ishin parashikuar të mbaheshin më 24 prill, pasi faktori ndërkombëtar vlerëson se, nuk ka ende kushte për mbajtjen e tyre në këtë datë.

Krerët e dy partive shqiptare, Ali Ahmeti nga BDI-ja dhe Menduh Thaçi nga PDSH-ja, thonë se kanë për qëllim të shmangin thellimin e krizës në Maqedoni. Megjithatë, ende nuk dihet nëse kjo nismë do të hyjë në procedurë parlamentare dhe nëse për të do të thërritet seancë urgjente nga kryeparlamentari, Trajko Veljanovski.

“Nëse nuk kemi zgjidhje deri në mesnatë (ora 00:00 e së mërkurës), vendi përfshihet në një krizë të paparashikueshme. Ne nuk duam që kjo të ndodhë. Ne kemi angazhuar të gjitha energjitë tona, që të arrihet një pajtueshmëri”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

“Këto janë momente dramatike, orët e fundit gjatë të cilave ne bashkërisht mund ta mbajmë Maqedoninë në rrugën e integrimit euroatlantik. Unë dhe partia ime do të vazhdojmë të japim kontribut konstruktiv në këtë drejtim, edhe pse kemi shumë pakënaqësi dhe shumë kritika nga shqiptarët. Megjithatë dua të them se, ne nuk guxojmë të heqim dorë dhe të shmangemi nga rruga e BE-së dhe e NATO-s”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Për të ndihmuar procesin për daljen nga kriza politike, në Shkup po qëndrojnë 3 europarlamentarët, Richard Hoëitt, Ivo Vajgel dhe Eduard Kukan, të cilët kanë zhvilluar takimet me krerët e 4 partive kryesore VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH.

I vetmi që nuk pranon anulimin e shpërbërjes së Kuvendit dhe shtyrjen e zgjedhjeve është ish-kryeministri, Nikola Gruevski, i cili drejton partinë më të madhe maqedonase, VMRO-DPMNE. Ai thotë se, në Maqedoni janë plotësuar të gjitha kushtet për zgjedhje demokratike dhe se, votimet duhet të mbahen në datën 24 prill të këtij viti, siç ishte përcaktua verën e kaluar nga krerët e 4 partive politike.

Nëse nuk dëgjohen thirrjet e diplomatëve të huaj për shtyrjen e zgjedhjeve dhe, nëse të mërkurën shpërbëhet Parlamenti, Maqedoninë e presin ditë edhe më të vështira, kurse analistët nuk përjashtojnë mundësinë e izolimit ndërkombëtar të vendit./TopChannel/

Shperndaje