Partitë politike në parlamentin e Kosovës dështuan sërish të premten të sigurojnë një pajtim për mënyrën e votimit të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. I vetmi pajtim që u arrit të premten ishte ai për shtyrjen e seancës për të mërkurën.
Shtyrja, pasoi një debat të ashpër ndërmjet kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë të cilët po e akuzojnë njëri tjetrin për bllokim të votimit.Kryeministri Haradinaj nguli këmbë që në projektligj të futet edhe raporti i Komisionit te ri shtetëror që ishte themeluar në fillim të mandatit të qeverisë re, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e kushtëzon votimin me largimin e këtij raporti.
https://www.youtube.com/watch?v=X0EcP355E-I
Mospajtimet ndërmjet partive politike që zunë fill që në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në gusht të vitit 2015, ende mbeten te thella.
Qeveria e Kosovës para pak ditësh tërhoqi projektligjin e vjetër dhe miratoi projektligjin e ri për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, në të cilën përfshihet edhe deklarata e përbashkët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi Filip Vujanovic, me te cilën shprehet gatishmëria për shqyrtimin e gabimeve të mundshme.
Lëvizja Vetëvendosje përsëriti qëndrimin kundër kësaj marrëveshjeje, ndërsa Lista Serbe nuk u paraqit fare në seancë. Të enjten ky subjekt tha se çështja kufirit nuk është dakorduar me të dhe deputetët e saj nuk do ta mbështesin.