​Tusk nesër në Tiranë, të mërkurën në Podgoricë

Të martën, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, do ta nisë turin e tij treditor në Ballkan nga Tirana për të vazhduar të njëjtën ditë për në Podgoricë, ku do të qëndrojë edhe më 25 prill.

Në vijim ai do të vizitojë edhe Beogradin, Prishtinën, Sarajevën dhe Shkupin.

Qëllimi kryesor i vizitave të Tuskut në kryeqendrat ballkanike janë përgatitjet për Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Sofje, më 17 maj.

Mesazhin që do të përcjellë Tusku e përmendi edhe në fjalimin e tij në Parlamentin Europian, ku deklaroi se Samiti në Sofje me krerët e shteteve ose qeverive të BE-së dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, më 17 maj, duhet të ripohojë perspektivën europiane të rajonit dhe, më e rëndësishmja, duhet të përmirësojë, në terma konkretë, lidhjet me dhe brenda rajonit.

Tusk do të përfundojë udhëtimin e tij në Shkup, ku do të marrë pjesë në samitin e Brdo-Brionit.

Objektivi kryesor i këtij procesi është mbledhja e të gjithë presidentëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe Sllovenisë dhe Kroacisë, për të përforcuar dialogun politik, për të rritur nivelet e besimit dhe për të promovuar zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!