Presidenti Bujar Nishani iu drejtua të premten Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar njohjen e Kosovës, pasi sipas tij, “kjo që do të sjellë forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit në rajon e jo vetëm”.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, Nishani tha se “Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal në gjithë tërësinë e tij”. “Politika jonë e jashtme është maksimalisht e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe integrimin e tij të plotë në proceset euroatlantike”, shtoi ai.
Presidenti theksoi se “kemi mbështetur dhe vijojmë të inkurajojmë pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”. “E konsiderojmë një platformë mjaft të përshtatshme, ku të sheshohen të gjitha çështjet e mbetura pezull, në mënyrë që të shihet nga e ardhmja”, tha Nishani.
Këto, sipas tij, do t’i shërbejnë politikave gjithëpërfshirëse ndërkombëtare, kontributit që Kosova do të japë në politikat globale, por edhe forcimit të paqes, sigurisë dhe zhvillimit në rajonin e Ballkanit.
“Sot Kosova njihet nga 109 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe jam i bindur se shumë shpejt edhe vende të tjera të Organizatës do ta njohin, duke kontribuar për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Evropës juglindore e më gjerë”, deklaroi Nishani.