Gazetari i DW këshillon Vetëvendosjen të mos përzihet në fushatën zgjedhore në Gjermani

Në një komunikatë për mediat Lëvizja Vetëvendosje u ka dhënë instruksione shqiptarëve në Gjermani që në zgjedhjet që mbahen të dielën të votojnë për partinë e majta SPD dhe jo ato të krahut të djathtë. Partia e Albin Kurtit thotë se me ekstremistët e AFD (Alternativa për Gjermaninë) shqiptarët nuk mund të gjejnë zgjidhje. Vetëvendosje thotë se vetëm programi i socialdemokratëve të Martin Shultz i përshtatet programit të saj.

Vetevendosje ka marrë përgjigje nga gazetari i radios Deutsche Welle, Bahri Cani i cili i ka kritikuar pë përzierje në fushatën zgjedhore në Gjermani.

“Mos u përzini në punët e huaja”, është mesazhi që përcjell gazetari nga Berlini.

“Nuk ka më keq se kur dikush nuk e di vendin e vet! Njëri doli njëherë dhe publikisht i lutej Zotit që në SHBA të mos fitojë Donald Trumpi. Një politikan lokal (të cilit nuk ia di as emrin) merret me parulla idiotike antisemitiste. Ndërsa partia ‘më e madhe në Kosovë’ del dy ditë para zgjedhjeve i bën publikisht thirrje bashkëkombasve të vet, se si duhet të votojnë në Gjermani”, ka shkruar Cani në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas tij, krejt normale është që partitë simotra të ndihmohen mes vete dhe kjo thirrje e Vetëvendosjes me siguri që do t’i sjellë një grusht vota socialdemokratëve (SPD) në Gjermani, por dëmi që mund t’i sjellë Kosovës dhe vet Vetëvendosjes, është shumë më i madh.

Sipas Canit, SPD nuk ka kurfarë shansesh për fitore.

“Vetëvendosja dhe Erdogani janë pra të vetmit që deri tani u kanë sugjeruar bashkëkombasve të vet me të drejtë vote në Gjermani – për kë të votojnë apo kujt nuk duhet t’ua japin votën. Në Gjermani kjo nuk pritet mirë. Këtë do ta regjistrojnë edhe bashkëpunëtorët e kancelares së tanishme dhe të ardhshme të Gjermanisë. Kjo mund t’i kthehet si bumerang Kosovës dhe shqiptarëve”, ka shkruar Cani, i cili sugjeron partitë politike në Kosovë të merren me problemet në vendin e tyre.

Pacolli mbështet kancelaren Angela Merkel

Fotografia e Behgjet Pacolli

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka dal në përkrahje të kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila nesër pritet të votohet për herë të katërt për shefe të Gjermanisë.

Reagimi i Pacolit ka ardhur pas një komunikate të Lëvizjes Vetëvendosjes, e cila thërriste shqiptarët të mos e votonin Merkelin në zgjedhjes e së dielës.

Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli ka thënë se nesër është ditë e rëndësishme për Gjermaninë derisa Merkelit i ka uruar fat.

“Nesër është një ditë e rëndësishme për Gjermaninë dhe BE. Dëshiroj më të mirën për popullin gjerman. Gjithashtu i uroj fat, kancelarës Merkel”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Shperndaje