Kosovë: 28 Nëntori ditë pushimi

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka vendosur që e hëna e 28 Nëntorit të jetë ditë pushimi, ditë kjo që në Ligjin për festat zyrtare të Republikës së Kosovës njihet me emrin ‘Dita e Shqiptarëve’.

28 Nëntori me ligj hyn në kuadër të Festave Memoriale, dhe për shpalljen e tyre ditë pushimi kërkohet vendimi i Qeverisë.

I pari i Qeverisë, Isa Mustafa tha se edhe pse kjo nuk është paraparë me ligj, kjo është një festë kombëtare dhe duhet të jetë ditë pushimi.

Ekzekutivi i vendit tashmë ka vite që ka bërë praktikë shpalljen e 28 Nëntorit ditë pushimi, derisa po shtohen zëra që kjo festë të vendoset te festat zyrtare.

Ndryshe, 28 Nëntori është një datë që përmban në vete vlera të shumëfishta historike e kombëtare për shqiptarët që nis nga viti 1444 e deri në vitin 1997.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!