Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë që marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi nuk do të kalojë në Parlamentin e Kosovës.
Haradinaj ka deklaruar që do të paraqitet marrëveshja dhe raporti i komisionit të ri, mirëpo votat nuk janë për ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe gjasat janë të mëdha që të shkohet në arbitrazh ndërkombëtar.
“Marrëveshja do të rrezohet në parlament. Me këtë i hapet rruga ose arbitrazhit ndërkombëtar ose negocimit të një marrëveshje të re me Malin e Zi. Dëshira ime është që të merremi vesh me Malin e Zi për arbitrazh ndërkombëtar, e përmes kësaj tregojmë që është hapur një proces që do ta përmbyll këtë temë, gjë që do të na mundësojë liberalizimin e vizave” ka thënë Ramush Haradinaj në një intervistë në Zona e Debatit në Klan Kosova.