Ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, zhvilloi një vizitë zyrtare në Mal të Zi

Në datën 22 mars 2016, një delegacion i kryesuar nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, z. Edmond Panariti, zhvilloi një vizitë zyrtare në Mal të Zi me ftesë të homologut të tij, Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Petar Ivanovic. Programi i vizitës përmbante takimin dypalësh të delegacioneve si dhe një vizitë në plantazhin e verës në Komunën e Tuzit. Temat e bisedimeve ishin bashkëpunimi dypalësh, menaxhimi i përbashkët i ujrave, çështje të prodhimeve bujqësore e blegtorale etj.

Të dy ministrat theksuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve tona në të gjitha fushat dhe veçanërisht në ato që mbulojnë dikasteret e tyre. Gjatë bisedimeve u ra dakord që:

“Marrëveshja kuadër mes Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi mbi Marrëdhëniet e Ndërsjellta në fushën e Menaxhimit të Burimeve Ujore” të nënshkruhet së shpejti në Tiranë gjatë vizitës së Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Petar Ivanovic, i cili u ftua nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, z. Edmond Panariti, z. Edmond Panariti, për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Të fillohet me mbajtjen e takimeve të rregullta të ekspertëve të dy ministrive, çdo një ose dy muaj, përkatësisht në Shkodër dhe Podgoricë, me qëllim trajtimin e problematikave në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna.

Të nisin procedurat për njohjen e çertifikimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, për të cilën do të duhet nënshkrimi i një memorandumi.

Ketë një shkëmbim të të rinjve dhe pedagogëve në institucionet respektive për qëllime trajnimi dhe marrje të eksperiencës.

 

Shperndaje