Me lëvizjen e akrepave të orës për një orë përpara, prej sonte ora 2 pas mesnate do të konsiderohet 3, me çka fillon llogaritja verore e kohës.
Llogaritja verore e orës në vitin 2018 përfundon më 28 tetor në orën 3 të mëngjesit, kur akrepat e orës do të kthehen 1 orë prapa.
Por kjo mund të jetë hera e fundit e ndryshimit të orës, pasi në Europë tashmë është hapur një debat në lidhje me këtë çështje. Eurodeputetët kanë propozuar heqjen e orës dimërore, me argumentin se përfitimet nga dita më e gjatë janë më të mëdha për qytetarët.
Por përpara se të shkojnë në votim, Paralamenti Europian vendosi që të kryhet një studim shkencor mbi efektet negative ose pozitive të ndryshimit të orës dhe vetëm pas gjetjeve mund të shkohet drejt një ore të unifikuar në të githë Europën.
Janë 70 deputetë të Parlamentin Evropian, të cilët janë zotuar se do ta heqin direktivën e ndryshimit të orës që ndodh dy herë në vit.
Deputeti çek i PPE Pavel Svoboda, njëherësh kryetar i grupit prej 70 deputetësh që kanë nisur këtë iniciativë tha se 20 për qind e popullsisë vuajnë nga probleme shendetësore.
“Hulumtimet shkencore kanë treguar se 20 % e popullsisë vuajnë nga probleme shëndetësore për shkak të orës”, ka thënë ai.
Presioni në mbarë botën është shumë i madh për të mos e ndryshuar më orën.
Për të fituar një orë më shumë nën dritën e diellit, praktikë kjo që ndiqet kryesisht nga vendet perëndimore, pasi thuajse i gjithë kontinenti i Azisë nuk e praktikon më, ndërsa një pjesë e mirë e Afrikës Qendrore nuk e ka praktikuar kurrë, akrepat e orës shtyhen me 1 orë përpara në pranverë (dhe kthehen me 1 orë pas në vjeshtë, në orën normale).
E megjithatë, 1 orë më shumë ndriçim në mbrëmje bën që me miliona banorë anembanë Europës dhe Amerikës Veriore (si dhe një pjese të Brazilit e Australisë), të përballen me disa shqetësime emotive dhe psikofizike.
Shqetësimet kryesore? Sipas studimeve të ekspertëve në Universitetin “La Sapienza” të Romës, që i referohet faktikisht 9 milionë banorëve të Italisë, gjithsesi simptoma që prekin jo vetëm ata, rreth 15 për qind e italianëve vuajnë nga lodhja, nervozizmi, vështirësitë në përqendrim, dhimbjet e kokës dhe pagjumësia.