Tusk: Për tolerancën fetare, shqiptarët janë më evropianë se disa evropianë të BE-së

Tusk lavdëron shqiptarët

Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, ka dhënë vlerësim maksimal për Shqipërinë për pozicionimin krah aleatëve evropianë dhe SHBA-së, dhe për tolerancën fetare.

Në deklaratën e përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Tusk përmendi reagimin e Shqipërisë pas sulmit me agjentë nervorë ndaj ish-agjentit rus, Sergei Skripal.

“Shqipëria e tregoi me rastin Skripal se është një nga partnerët me besnikë të Bashkimit Europian”, tha ai.

“E përmbyll duke i bërë homazh markës unike të Shqipërisë; tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, cilësi që vijojnë të jenë tepër të rëndësishme për botën e sotme. Këto janë themelet që mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët dhe kam ndjesinë personale që jeni më evropianë ju këtu se disa evropianë të BE”, deklaroi kreu i Këshillit të Evropës, raporton tch.

Shqipëria do të ketë shumë sfida, negociatat nuk janë të lehta

Donald Tusk, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, pasi përgëzoi popullin shqiptar për rekomandimin e Komisionit Evropian, deklaroi se Shqipëria do të ketë shumë sfida dhe punë të madhe, duke nisur nga shteti i së drejtës, lufta kundër krimit të organizuar dhe reforma në drejtësi.

Tusk tha se ëndrra e tij është që Shqipëria të vazhdojë rrugën drejt Evropës. “Negociatat me BE nuk janë të lehta.

Ëndrra ime është që Shqipëria të vazhdojë rrugën drejt Evropës. Është në interesin më të mirë që Shqipëria të jetë e integruar plotësisht në BE. Ajo që Shqipëria ka bërë është e mjaftueshme për të çelur negociatat. Tani, sfidë është bindja e të gjitha vendeve në qershor për çeljen e negociatave”, tha presidenti i KE-së, duke shtuar se BE është investuesja më e madhe për të gjithë rajonin.

Nga ana e tij,  Rama tha se do të ndërtohet një Shqipëri evropiane.

“Ne do të ndërtojmë Shqipërinë evropiane në Shqipëri. Është një proces që kërkon kohë dhe që e kërkon interesi i fëmijëve tanë. Me Presidentin, që është njohës i thellë i rajonit, folëm për procesin e thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe nënvizova se ky proces transformues për rajonin është i lidhur me perspektivën evropiane të vendeve të rajonit. Diskutuam edhe për ecurinë e mëtejshme të reformës në drejtësi”, tha kryeministri.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!