Tirana me autobusë dhe taxi elektrikë (Video)

Tirana do të jetë qyteti i parë në Shqipëri, i cili nis testimin e autobusëve elektrikë në transportin publik urban, por edhe do të revolucionarizojë shërbimin taksi, duke sjellë një qasje të re miqësore ndaj mjedisit me kosto ekonomike shumë më të ulët.

Në “Ditën pa makina” kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në prezantimin e taksive elektrike në kryeqytet, si dhe të mjeteve të transportit alternativ të lëvizjes, të cilat pritet të ulin nivelin e ndotjes në kryeqytet.

“Në Tiranë, bashkia ka licencuar rreth 800 taksi, të cilat të gjitha bashkë prodhojnë në një vit 3200 ton karbon. Imagjinoni 200 mijë makina dhe 60-70 mijë që vijnë nga rrethet çdo ditë në Tiranë, çfarë ndodh dhe sa mijë ton karbon çlirojnë. Kur Kina që ka reputacionin e vendit të mbi industrializuar ka dhënë urdhër që të gjitha makinat e reja të jenë elektrike, një vend i vogël si Shqipëria apo një qytet si Tirana, duhet medoemos ta marrë këtë vendim.

Nëse do udhëtoni me taksi përdorni një nga taksitë elektrike, kanë të njëjtin çmim, por ama i kemi shpëtuar natyrës dhe fëmijëve të këtij qyteti një ndotje të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se duke filluar nga muaji i ardhshëm, Bashkia e Tiranës do të nisë testimin e  autobusëve elektrikë, ndërsa u kërkoi operatorëve privatë që të zëvendësojnë flotën aktuale të autobusëve, me mjete elektrike.

“Operatorët kanë nënshkruar një kontratë e cila ka një klauzolë, që në çdo moment kur bashkia ka alternativë transportin elektrik ose me hidrogjen, do t’i heqë licencën dikujt që e ka me naftë për ta zëvendësuar me dikë që e ka makinë elektrike. Ndaj mesazhi për operatorët, vraponi blini autobusë elektrikë ose bashkia du t’ju marrë punën”, tha ai.

Kohë më parë edhe Policia e Tiranës ka futur në përdorim 11 automjete elektrike, të cilat kanë zëvendësuar ato me karburant.

Mjetet janë të markës “Volkswagen” dhe punojnë vetëm me energji elektrike dhe funksionimi i tyre bëhet përmes karikimit. Shqipëria bëhet vendi i parë në rajonin e Ballkanit dhe i 10-ti në Europë, që fut në përdorim automjetet elektrike.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!