Koha për reflektim të partive shqiptare, humbësit të dorëhiqen

Nga politikanët shqiptarë  kërkohet në rend të parë përgjegjësia e tyre politike dhe të mos jenë pengesë e pajtimit dhe progresit. Dorëheqja e liderëve të partive politike  që humbën  zgjedhjet do të ishte sinjal i vetëdijesimit të klasës politike shqiptare në Mal të Zi .

Nga Gjekë Gjonaj

Shqiptarët në Malin e Zi  patën rastin dhe mundësinë që në zgjedhjet parlamentare të 16 tetorit  të  arrijnë sukses pozitiv. Kjo,  për fatin tonë të keq nuk ndodhi. Nga mosbashkimi i  subjekteve nacionale politike shqiptare  shqiptarët pësuan humbje të thellë, si asnjëherë më parë në epokën e pluralizmit politik. Shqiptarët në Kuvendin e ardhshëm të Malit të Zi,  siç dihet tashmë , do të kenë vetëm një përfaqësues autentik , në vend të tre sa mund të kishin sikur të dilnin me një listë të përbashkët. Kjo është një humbje serioze. Një simptomë që kërkon menjëherë kurim. Është një element shumë serioz për të gjithë aktorët politikë shqiptarë që morën pjesë në këto zgjedhje. Pavarësisht  nga faktorët justifikues dhe shfajësues gjendja në tërësi është shumë shqetësuese dhe këtu vihen re ekuilibra politikë të deformuar. Analiza e këtyre zgjedhjeve duhet të nisë menjëherë, ndërsa në analiza duhet të jemi realist në mënyrë që të nxjerrim konkluzione të qarta. Ka ardhur koha për reflektime dhe vendime të partive politike shqiptare, përkatësisht  strukturave të tyre. Liderët politikë shqiptarë do të duhej të lexojnë qartë  mesazhin e sovarinit në këto zgjedhje.  Ata mund të nxjerrin mësime  nga kjo humbje e votbesimit të zgjedhësve të tyre dhe të dalin më të fortë në zgjedhjet e radhës vetëm nëse e kanë të qartë në mendjet e tyre që për të arritur këtu duhet të jenë të bashkuar.

Nga politikanët shqiptarë  kërkohet në rend të parë përgjegjësia e tyre politike dhe të mos jenë pengesë e pajtimit dhe progresit. Dorëheqja e liderëve të partive politike  që humbën  zgjedhjet  do të ishte sinjal i vetëdijesimit të klasës politike shqiptare në Mal të Zi .

Me këtë  veprimn apo akt do të instalohej një standard i ri në moralin politik  të shqiptarëve.  Standardi nuk është veprim i një akti, por proces i vetëdijesimit për përgjegjësinë që ka lideri, ngase askush nuk shkon pas humbësit dhe atij që praktikisht sillet në kundërshtim me deklaratat publike. Mirëpo  është vështirë e besueshme, që ndonjëri nga drejtuesit e subjekteve politike, të lëshojë karrigën e kryetarit. Janë një grup vendesh të caktuara, që nëse liderët humbasin zgjedhjet thonë “ goodbye”, ka shumë vende të tjera të cilat thonë “ përpara me mua”.  E, ne shqiptarët bëjmë pjesë në këto të fundit.

Sot  për shqiptarët në Malin e Zi  nuk është koha të krijojmë dhimbje për të tashmen, por të punojmë për të ardhmen me ide të reja e vizion të qartësuar. Mendjet dhe kapriçot egoiste, individuale apo edhe grupore e partiake kur udhëheqin në jetërat tona  nuk do të na lënë të qetë veç intervaleve të shkurtra kohore nga përvetësimet dhe sukseset afatshkurtra. Shqiptarët  në këtë shtet multinanacional e multietnik nuk  duhet   të humbasin të tashmen e krijuar pasi humbja e të sotmes të kthen gjithnjë në të djeshmën. Ka ardhur koha  për të punuar për të nesërmen, nëse nuk jemi vonuar.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!