Haradinaj në Mal të Zi, takim me përfaqësuesit e partive politike shqiptare

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj me bashkpuntorët e tij ka takuar sot në Mal të Zi përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve në Mal të Zi.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj tha se me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve kanë zhvilluar një bisedë shumë të frytshme dhe që këtë do ta vazhdojnë edhe në një takim në Prishtinë.

Kryeministri Haradinaj, më tej tha se shumica e këtyre partive janë të vetëdijshme për sfidat që kanë, por që në një dialog të vazhdueshëm, do të bisedohet dhe në këtë mënyrë do të gjinden zgjidhje për të gjitha temat e tyre me interes.

Fotografia e Ramush Haradinaj

Kryeministri Haradinaj porositi të gjitha partitë politike shqiptare në Mal të Zi , që të ulen në një tavolinë për bisedime të ndërsjella për tema të ndryshme, pa marrë parasysh përkatësinë partiake që kanë, sepse shumë tema do të gjenin zgjidhje sikurse do të kishte pasur një koordinim më të madh.

 Në këtë takim me Haradinaj ishin përfaqësuesiet e UDSH, ASH, FORCA, PD, dhe LDSH si dhe kryetari Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se shqiptarët sot janë në pozitë të volitshme dhe se po marrin përgjegjësitë e tyre në krijimin e paqes së përhershme në Ballkanin Perëndimor.

Postimi i plotë i Haradinajt në Facebook:

“Kënaqësi t’i takoja sonte së bashku përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi, me të cilët patëm një bashkëbisedë të hapur, e cila do të vazhdojë së shpejti edhe në Prishtinë. Mali i Zi është partner i Kosovës në planin ndërkombëtar, fuqizimin e stabilitetit rajonal si dhe në rrugën e përbashkët europiane. Qeveria e Kosovës sheh me interes madhor fuqizimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Podgoricës, veçmas në ekonomi, si mundësi reale për ngritjen e mirëqenies së shqiptarëve në Mal të Zi. Shqiptarët, sot, janë në pozitë të volitshme kudo që jetojnë dhe si faktorë rajonal ata po marrin përgjegjësitë e tyre, në krijimin e paqes së përhershme në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Haradinaj.

Fotografia e Ramush Haradinaj

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!