Haxhi Shabani – Shqiptaret në Malin e Zi çështje e pazgjidhur

Ismet Kallaba

Që në titullin e librit “Shqiptarët në Malin e Zi, çështje e pazgjidhur”, autori lë të nënkuptojë shqetësimin e tij për fatin e shqiptarëve të këtushëm dhe rrezikun që u kërcënohet atyre si pasojë e rrethanave historike, politike e shoqërore të kohës së shkuar dhe fenomeneve negative të kohës së sotme.

Libri është përmbledhje e artikujve analitikë që janë botuar në media të ndryshme, kryesisht në revistën prestigjoze “Albanica”, nga viti 1995 deri në vitin 2010, një periudhë kohore me shumë zhvillime për ne shqiptarët në Malin e Zi dhe shqiptarët në përgjithësi. Në to autori trajton probleme të ndryshme që lidhen me çështjet identitare të shqiptarëve në Malin e Zi, si pozitën e tyre politiko-shoqërore, gjuhën shqipe, kulturën kombëtare, emigrimin, mediat shqipe etj. Duke pasqyruar situatën në fusha të ndryshme, autori bën një skaner të gjendjes së shqiptarëve dhe na jep një tablo të përgjithshme të pozitës së shqiptarëve në Malin e Zi.

Megjithëse libri nuk ka pretendime shkencore, pasi që ka karakter publicistik, analizat e thella dhe fuqia e argumentimit i japin atij tipare shkencore. Autori operon me atë që në gazetari njihet si shtresa e tretë e raportimit, që është forma më e lartë e gazetarisë, që nuk mjaftohet vetëm me pasqyrimin e ngjarjeve dhe dukurive, por me shkaqet dhe pasojat e tyre, duke ofruar edhe këndvështrimin e tij për zgjidhjen e ndonjë prej problemeve ekzistuese.

Duke lexuar këto artikuj, më shkon ndërmend shtypi shqiptar i periudhës së Rilindjes Kombëtare i cili, siç dihet, ka qenë një shtyp i angazhuar, me mision të caktuar, dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare. Edhe Haxhi Shabani, me këto shkrime të tij, është modeli i intelektualit të angazhuar, i cili njëjtësohet me fatin e popullit të vet. Artikujt e tij janë thirrje ndaj ndërgjegjes së gjithësecilit prej nesh, por në radhë të parë ndaj politikës shqiptare në Mal të Zi dhe qendrave vendimmarrëse shqiptare për të vepruar sa më shpejt sepse “nga ruajtja e zhvillimi i shqiptarëve në këto fu­sha të jetës, do të varet e ardhmja e tyre”.

Njëra ndër veçoritë e shtypit është karakteri i tij i përkohshëm. Por kjo nuk vlen për artikujt e botuar në këtë libër, të cilët sot mbase janë edhe më aktualë sesa në kohën që janë shkruar. Kjo dëshmon jo vetëm që pozita e shqiptarëve nuk ka ndryshuar, përkundrazi në disa fusha është përkeqësuar, por edhe për parashikimet reale dhe të drejta të autorit.

Si studiues i gjuhës, autorin e preokupon shumë pozita e gjuhës shqipe dhe tkurrja e përdorimit të saj nga shqiptarët në Malin e Zi. Përshkrimi i situatës absurde në Tivar, në artikullin “Për shqiptarët dhe shqipen në Tivar”: “Nëse proceset vazhdojnë rrjedhën e deritashme dhe nuk ka thuajse asnjë argument që të ndryshojë kjo rrjedhë, shq­iptarët dhe gjuha shqipe në Tivar do të jenë pjesë e historisë. Prandaj mund të thuhet se në Tivar po ndodh tragjedia e dytë e shqiptarëve, ata po zhduken. Edhe historikisht, por edhe akualisht, populli apo një pjesë e tij nuk zhduken të gjithë fikizikisht, por ata realisht janë të zhdukur kur ndry­shojnë gjuhën”; është në fakt këmbanë për shqiptarët dhe përdorimin e gjuhës shqipe edhe në trevat tjera shqiptare në Malin e Zi.

Pasi që jemi në Malësi, kam shkëputur një pjesë nga artikulli “Midis ruajtjes së identitetit dhe integrimit”, për të parë se si e përshkruan autori Shabani situatën këtu: “Ndonëse jeta këtu ka edhe veçoritë e asaj bashkëko­hore, ajo ngërthen në vete pasojat nga e kaluara e cila ka lavdi dhe humbje. Malësia është në fazën vendimtare kur krahas ruajtjes së identitetit dhe domosdoshmërisë për in­tegrim, është në rrugën e gjetjes së vetvetes, në kohën kur gjysma e popullatës është jashtë vendit. Kjo për Malësinë ndodh kur nga ajo, Podgorica është shumë afër e Shkodra ende larg, më shumë sesa tregojnë kilometrat që i ndajnë këto dy vende”. Edhe në këtë artikull autori shfaq rrezikun e asimilimit të shqiptarëve nëpërmjet procesit të pseudo-integrimit në shoqërinë malazeze.

Autori është kritik ndaj politikës së ndjekur nga vetë shqiptarët në Malin e Zi, të cilët sipas tij, “kanë zbatuar politikën e guaskës, duke mos arritur të bëjnë të njohur çështjen e tyre të pazgjidhur as në nivel kombëtar, as në atë ndërkom­bëtar, por as në Malin e Zi, edhe pse ka pasur përpjekje”.

Sipas autorit, identiteti i shqiptarëve në Malin e Zi është i dyzuar pasi që ata jetojnë në lidhje me shqiptarët e tjerë në vendet e Ballkanit, me popujt që jetojnë në Malin e Zi, pastaj me SHBA-të dhe vendet tjera perëndimore, ndërmjet vendlindjes dhe mërgimit. “Së këndejmi, ata kanë identitet të shumë­fishtë, që do të thotë se identiteti i tyre shqiptar nuk është i stabilizuar”.

Autori është i vetëdijshëm se çfarëdolloj parashikimi për të ardhmen e shqiptarëve është e pamundur dhe e pasigurt. Prandaj, në parathënien e librit shprehet: “E kaluara, ak­tualiteti dhe e ardhmja e shqiptarëve në Malin e Zi është komplekse dhe është e vështirë për t’u parashikuar epilogu përfundimtar i tyre”.

Për ta përmbyllur: duke trajtuar probleme të fushave të ndryshme që lidhen me shqiptarët në Malin e Zi, Haxhi Shabani në fakt përpiqet të hartojë një platformë të shqiptarëve në Malin e Zi.

 

(Vështrimi është lexuar me rastin e përurimit të librit në QKI “Malësia” – Tuz, më 17 mars 2018)

Shperndaje