Mikpritja trieshjane një traditë që kultivohet edhe sot

gjeke_gjonaj

 Shkruan Gjekë Gjonaj

Nëse dikujt i bleni lule, ajo lule nuk do të zgjas më tepër se një javë , apo në raste të tjera disa muaj, pasi lulja zakonisht prishet nëse nuk i përshtatet  drita dhe temperatura.Nëse dëshironi të dhuroni diçka që fizikisht eshtë e përhershme dhe e dobishme, dhuroni një apo më shumë  libra.

Një grup përfaqësuesish të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve prej katër  vetash, Genci Nimanbegu, Faik Nika, Ismet Kallaba dhe  Albert Camaj,   vizituan javën e kaluar Trieshin. Misioni i tyre ishte dhurimi i disa librave  për shkollën  fillore “  Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Kjo vizitë ishte e kënaqësi e dyanshme. Akti human i dhurimit të librave e gëzoi së pari drejtorin e shkollës Zef Gjuravçaj  dhe nxënësit e vegjël  trieshjanë të cilëve, për dallim nga moshatarët e tyre në qytet, u mungon fondi  i  librave. Libri, e kanë thënë shumë dijetarë e njerëz të famshëm, është  shoku më i mirë,  më i vërtetë dhe më i sinqertë  i njeirut, është ngushëlluesi  dhe nxitësi i njeriut për ecje drejt shtigjeve të reja, është i vetmi kopsht që mbillet për të tjerët. Prandaj brezi i ri i trieshjanëve  duhet patjetër t’i kthejë sytë dhe vëmendjen  nga libri. Sepse ai që lexon do të jetë i pasur. Do të jetë me fat edhe Trieshi po të arrihet edukata e leximit të librit. Jo më pak të gëzuar e të kënaqur sesa nikoqirët  ishin edhe mysafirët, të cilët  me këtë shembull, sa simbolik aq edhe me vlerë, kontribuan që fëmijëve t’u ofrojnë më shumë mundësi për lexim.  Ajo që u bëri më së shumti përshtypje dhe i mbushi me lumturi mysafirët e përmendur nga Ulqini, Ana e Malit dhe Hoti ishte mikpritja madhështore   e trieshjanëve. “

Në Triesh atë ditë na pritën  sipas motos shqiptare  “ bukë e krypë e zemër!”Ishte një pritje madhështore ashtu siç dinë të presin trieshjanët në veçanti dhe ne shqpitarët në përgjithësi ! Një pritje e ngrohtë,  vëllazërore e bujare nga e cila u bindëm se trieshjanët janë popull mikpritës”, na thanë me krenari disa nga këta vizitorë, tashmë edhe miq të ri  të Trieshit.

Kujtojmë se të gjithë trieshjanët  janë mikpritës e të falin shtëpinë nën shprehjen e famshme “ Shpia  para se me kënë e shqiptarit  asht  e Zotit dhe e Mikut”. Në Triesh kjo shprehje (traditë me të cilën krenohen)  me shekuj është ulur këmbëkryq, është trashëguar nga brezi në brez dhe vazhdon të kultivohet edhe sot në kohën moderne. Është e vërtetë se teknologjia (telefoni, kompjuteri e interneti) kanë hyrë edhe në shtëpitë trieshjane, por ato  në asnjë mënyrë nuk e zbehin mikpritjen ( lexo pritjen e mikut). Mikpritja ka qenë dhe është cilësi tradicionale e trieshjanëve, e cilësuar si kod i nderit tek shqiptarët e shprehur edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Treishjanët që në fëmijëri   kanë mësuar nga prindërit se miku pritet me të gjitha nderet e me ushqimet më të mira që ka shtëpia. Edhe kur familjari është ekonomikisht i varfër, ai mirëpret në mënyrë shumë dinjitoze dhe të përzemërt udhëtarin e panjohur që i troket në derën e tij. Shtëpitë e trieshjanëve përherë kanë qenë të hapura për mikun dhe armikun.

Ai që ka shkleur në shtëpinë e çdo  treishjani apo ka ardhur me bujtë  është konsideruar si mik i familjes. Kryefamiljari ( i zoti i shpisë)  e kishte për detyrë  ta bëjë mikun (pa dallim kombi,  kombësie, gjuhe, race, ngjyre e përkatësie fetare) të ndihet sa më mirë dhe të përpiqet t’ia përmbushë të gjitha dëshirat. Po qe se dikush e fyente mikun, marrja e hakut ishte detyrë e të zotit të shtëpisë. I zoti i shtëpisë në Triesh për mikun ka dhënë çdo gjë, pasurinë  madje edhe jetën. Këtë e dëshmon shembulli i Dodë Smajlit Gjeloshaj (1886 – 1951), i cili flijohet dhe nuk e dorëzon mikun e tij malazez, Radomir Mirasheviq, duke e siguruar atë se është në besë të Zotit e të shqiptarit pa farë frike.   Domethënë   miku, në këtë trevë  të pastër shqiptare të Malësisë së Mbishkodrës mu në kufi me shtetin amë Shqipërinë, konsiderohet institut dhe zakon popullor. Trieshjanët me virtytin e mikpritjes  shprehin bujarinë e tyre, shpirtin e tyre njerëzor të civilizuar, karakterin e tyre human, vlera këto që janë vlerësuar  nga shumë të huaj që kanë vizituar Trieshin. Shumë   kronistë të huaj kanë lënë edhe mjaft dokumente të shkruara për këtë  ideal të dashur e të rëndësishëm të shoqërisë tradicionale  të trieshjanëve, duke i vlerësuar ata si dashamirës dhe njerëzorë nga vetë natyra, si besnik, të përzemërt, shumë të sinqertë dhe gjithmonë krenarë. Edhe Edit Durhem shkruan “Ligjet e mikpritjes janë më të forta se armët”.

Në Triesh nuk kishte nevojë për hotel, sespe çdo udhëtar, që do të kërkonte strehë për t’u strehuar apo vend për të qëndruar, mjaftonte të trokiste, në çdo derë, për të pushuar, për të ngrënë, për të pirë e për të kaluar natën. Kështu respektohej me shekuj mikpritja, kjo vlerë morale   në vendlindjen time. Ngjashëm është edhe sot. Shpresoj të jetë kështu edhe nesër.

Shperndaje