Procesi i mësimdhënies online gjatë periudhës së pandemisë COVID-19

Një tregim i ri shkollor

Nga e gjithë kjo situatë mund të themi se kemi mësuar shumë. Në radhë të parë kemi shkëmbyer përvoja profesionale, kemi hyrë në çdo shtëpi përmes ekranit duke u munduar t’ua sjellim klasat në shtëpi dhe duke u përpjekur që të plotësojmë kërkesat e nxënësve duke komunikuar përmes platformave të shumta online.

Arlinda Sukaliqi

Duke marrë parasysh situatën epidemiologjike dhe rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19 dhe mbrojtjes në kohë të shëndetit të nxënësve dhe stafit të mësimdhënësve, ministri i Arsimit Damir Shehoviq njoftoi se ishte marrë vendim për pezullimin e punës arsimore në kopshte, shkolla dhe universitete për një periudhë 15 ditëshe dhe ky vendim do të hyjë në fuqi më 16 mars. Menjëherë pas kësaj, ai njoftoi se së shpejti do të kemi informacione për mënyrën e komunikimit me nxënës dhe përcjelljen e materialeve mësimore gjatë kohës që nuk do të jemi në shkollë.

Komunikimi gjatë pezullimit të mësimit, ndër të tjera, duhet të përfshijë regjistrimin dhe transmetimin e video materialeve. Ato do të transmetohen në kanalin youtube, ku ministri i Arsimit do të organizojë një takim me drejtuesit e televizionit publik në mënyrë që të transmetohet një pjesë e përmbajtjes mësimore. Për më tepër, plani i komunikimit do të përfshijë shkëmbimin e materialeve përmes kanaleve te zakonshme, grupeve të krijuara në aplikacione si viber, por edhe e-platformat zoom, googleclassroom etj.

Ndërkohë Ministria e Arsimit po punonte në përgatitjen e një koncepti të ri të mësimit në distancë, i cili do të zhvillohet me moton “Mëso në shtepi” dhe do të fillojë që në datën 23 mars 2020. Mësimi do të përfshijë të mësuarit përmes kanaleve televizive, kanalit youtube dhe përmbajtjeve në platformat elektronike. Shkollat dhe prindërit do të jenë partnerët më të mirë dhe me të mëdhenj në këtë sfidë që na pret në të ardhmen. U theksua se motoja e të gjithëve në sistemin arsimor duhet të jetë “Edhe shëndeti, edhe dituria”.

Instituti për Arsim, Qendra për Arsim dhe kolegë të Ministrisë së Arsimit bënë çmos që nxënësit të shikojnë ore mësimore para ekraneve të tyre televizive, në kanalin youtube dhe në websajtin www.ucidoma.me

Mëso në shtëpi është një projekt i mësimit në distancë, i cili zhvillohet kryesisht përmes televizionit dhe platformave elektronike, që filloi menjëherë pas mbylljes së institucioneve arsimore në Mal të Zi. Kështu, që në javën e dytë u incizuan qindra ligjërata për të gjitha klasat.

Më 22 mars u dha orari i emetimeve të orëve dhe emri i kanaleve ku mund të ndiqen mësimet. Ai  u dha në faqen www.ucidoma.me . Video materialet e para u realizuan në gjuhën malazeze në disa lëndë.

Komunikimi i parë i nxënësve me mësues ishte përmes e-maileve, grupeve në viber, e-platformave. Kështu, nga klasat e tyre mësues e profesorë hynë në çdo shtëpi duke pasur një audiencë më të madhe se kurrë të grupmoshave të ndryshme. Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme filluan të dëgjojnë mësime nga ekrani dhe duke zotëruar me shpejtësi aplikacionet e ndryshme së bashku me prindër dhe mësues të tyre. Të gjithë së bashku ishin pjesë e një tregimi të ri shkollor, krijuar në rrethana sfiduese, që të gjithë me siguri do t’i kujtojnë për një kohë të gjatë.

Në përgatitje ishin edhe materialet shtesë për gjuhën shqipe, ku më 30 mars filluan të transmetohen orët e gjuhës shqipe dhe matematikës, në gjuhën shqipe. Në Radio Televizionin e Malit të Zi u transmetuan dy lëndë në gjuhën shqipe, nga klasa e parë deri në të pestën, ndërsa për klasat e tjera ishin duke u bërë përgatitjet. Këto incizime u realizuan nga mësimdhënës nga Malësia, të cilët arritën të incizojnë vetëm një javë pasi hynë në karantinë, ku incizimet u zhvendosën në Ulqin, ku u incizuan disa lëndë për shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe. Oraret për zhvillimin e orëve në gjuhën shqipe mund të gjendeshin në www.ucidoma.me  dhe në www.skolskiportal.edu.me .

Me rastin e fillimit të transmetimit të orëve në gjuhën shqipe, drejtori gjeneral i Drejtorisë për Arsimin e Pjesëtarëve të Popujve Pakicë dhe të Komuniteteve të Tjera të Pakicave, Marash Dukaj, shprehu kënaqësinë për fillimin e transmetimit të një pjese të materialit në gjuhën shqipe duke theksuar se koncepti “Mëso në shtëpi” është një iniciativë cilësore që plotëson aktualisht  sfidën e vazhdimësisë së mësimdhënies.

Më 8 prill, përmbajtjet “Mëso në shtëpi” u vunë në dispozicion në aplikacionin celular për të gjitha sistemet operative. Kjo do të lehtësojë më tej qasjen në mësimin në distancë.

Më 24 prill është marrë vendimi që nxënësit të mos kthehen më në bankat shkollore deri në shtator.

Më 2 maj u dhanë disa udhëzime se si duhet bërë vlerësimi në periudhën e katërt kualifikuese. Më 5 maj u vu në funksion aplikacioni për prindër, ku mund t’i marrin të gjitha informacionet  lidhur me notat dhe sjelljen e fëmijëve. Aplikacioni i ri quhej “dnevnik” ose www.dnevnik.edu.me, ku prindërit mund t’i gjejnë të gjitha në një vend, si: notat, sjelljen dhe të gjitha risitë kryesore nga niveli i sistemit, si p.sh. nisma “uči doma” ose marrja e provimeve të maturës dhe profesionale. Aplikimi dhe portali janë produkt i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Telekomit të Malit të Zi. Ky portal është shumë domethënës, sidomos në situatën që ndodhemi tani, ku prindërit nuk janë në gjendje ta vizitojnë shkollën dhe të marrin informacionet rreth fëmijës së vet.

Deri më tani mësimi online është treguar i suksesshëm dhe çdo gjë po vijon si duhet. Vështirësi ka sidomos te moshat më të vjetra, të cilët për herë të parë po hasen me teknologjinë, por me përkrahje të kolegëve e kaluan me sukses këtë sfidë.

Nga e gjithë kjo situatë mund të themi se kemi mësuar shumë. Në radhë të parë kemi shkëmbyer përvoja profesionale, kemi hyrë në çdo shtëpi përmes ekranit duke u munduar t’ua sjellim klasat në shtëpi dhe duke u përpjekur që të plotësojmë kërkesat e nxënësve duke komunikuar përmes platformave të shumta online.(Koha Javore)

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!