Mali i Zi ka vendosur që të shpenzojë 110 milionë euro për të blerë armë stretegjike, si raketa dhe helikopterë.
Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi do të blejë helikopterë, radarë për mbikëqyrjen ajrore dhe automjete të blinduara.
“Për blerjen dhe modernizimin e pajisjeve të prioritetit më të lartë janë planifikuar 70,8 milionë euro për periudhën deri në vitin 2020. Ky grup përfshinte të gjitha prioritetet e mësipërme”.
Ministri i Mbrojtjes, Predrag Boshkoviç ka zhvilluar një vizitë në Francë, vend i cili ka furnizuar edhe Shqipërinë me helikopterë ushtarakë para disa viteve.
Qeveria malazeze njoftoi se armët strategjike do të blihen nga shitja e materialeve luftarake të ish-ushtrisë jugosllave.
“Fondet që marrim nga shitja e vjetërsirave po investohen në modernizimin dhe blerjen e sistemeve të reja, më moderne dhe më efikase”, deklaroi ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi.
Ndërkaq, Angela Merkel ka vendosur që t’i japë Podgoricës 2.1 milionë euro për të blerë mjete të blinduara.
Mali i Zi u bë anëtare e NATO-s më 5 qershor, ndërsa Boshkoviç do të marrë pjesë për herë të parë në Samitin e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare në Bruksel.