Maqedonia e Veriut zyrtarizon rezultatin e zgjedhjeve, 33 deputetë shqiptarë në parlament

0

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut zyrtarizoi të shtunën rezultatin e zgjedhjeve që u mbajtën më 15 korrik duke nxjerrë fituese të tyre koalicionin mes Lëvizjes Besa dhe Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) njohur si koalicioni “Mundemi”, e cila mori 46 deputetë, prej tyre 4 janë deputetë të Besës.

Rezultati është si m ë poshtë:

  • 46 mandate – (35.89%) Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe Lëvizja Besa, kryetarë Zoran Zaev dhe Bilal Kasami;
  • 44 mandate – (34.57%) Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Unitetin Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE), kryetar Hristijan Mickoski;
  • 15 mandate – (11.48%) Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kryetar Ali Ahmeti;
  • 12 mandate – (8.95%) Aleanca për Shqiptarët (AA) dhe Alternativa, kryetarë Ziadin Sela dhe Afrim Gashi;
  • 2 mandate – (4.2%) E Majta (Levica), kryetar Dimitar Apasiev;
  • 1 mandat – (1.53%) Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi;

Në parlamentin e ardhshëm të RMV-së, do të ketë 33 deputetë shqiptarë.

Katër deputetë nga Lëvizja Besa dhe 1 nga LSDM, 15 nga BDI, 12 nga AA dhe Alternativa si dhe 1 nga PDSH-ja.

Në legjislaturën e shkuar parlamenti kishte 22 deputetë shqiptarë dhe me këtë rritje të ndjeshme – 11 deputetë më shumë – faktori politik shqiptar duket të jetë më vendimtar për zhvillimet politike, sikurse pritet të jetë formimi i qeverisë.

Nga zgjedhjet e 15 korrikut, mbetën pa përfaqësi në parlament 7 parti të cilat kishin marrë në total 45 mijë vota, por jo më shumë se 1.35% e rangut kombëtar nëse ndaheshin veçantë nga njëra-tjetra.

Gazetari Benjamin Arifi raportoi nga Maqedonia se koalicioni AA dhe Alternativa konteston legjitimitetin e BDI-së si fitues i zgjedhjeve në bllokun politik shqiptar me akuza për vjedhje dhe blerje votash. Për këtë ata kanë paralajmëruar protestën “Marsh për Demokraci” ditën e hënë, për të ngritur zërin ndaj manipulimit zgjedhor.

Pas certifikimit të rezultateve, Presidenti i shtetit duhet t’ia dorëzojë mandatin partisë që ka shumicën në Kuvend.

error: Të drejtat e rezervuara !!