Serbia dhe Shqipëria me Odë Ekonomike të përbashkët

Shqipëria dhe Serbia po përgatiten për mbajtjen e një forumi të përbashkët ekonomik, përmes të cilit do të promovohet krijimi i Odës ekonomike shqiptaro-serbe, me seli në Tiranë.

Në vazhdën e fuqizimit ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përmes avancimit të bashkëpunimit rajonal, gjatë ditëve të fundit kryetarët e Odave Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë, kanë vizituar homologët përkatës në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi, për të vazhduar javëve në vijim në Kroaci dhe Slloveni.

Liderët e vendeve të rajonit kanë përkrahur fuqishëm bashkëpunimin ekonomik rajonal, të udhëhequr nga Odat Ekonomike.

Mbështetjen për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet odave do ta japin edhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë, Edi Rama e Aleksandar Vuçiç, të cilët do të takohen në Nish më 14 tetor.

Takimet, në nivel rajonal, do të mund të shënojnë edhe fillimin e përurimit të njëprojekti të përbashkët rrugor që do të lidh Serbinë me Shqipërinë përmes Kosovës. Burime zyrtare në Serbi kanë theksuar ditëve të fundit se në takimin e Nishit do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës.

Por, këta të fundit thonë se nuk kanë marrë asnjë ftesë për çfarëdo takimi që mund të zhvillohet në rajon.

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, i tha Radios Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës zyrtarisht nuk është në dijeni të një takimi të tillë.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!