Pannuci publikon listën: Risi dhe mungesa, fton ish-lojtarin e Barselonës

Tekniku i kombëtares Christian Panucci ka publikuar listën e lojtarëve për ndeshjet kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë.

Tekniku i ri i kuqezinjve ka afruar 3 emrat e rinj në përfaqësuese, por ka lënë jashtë njëkohësisht disa emra të njohur, për shkak të formës jo të përshtatshme që po kalojnë.

RISITË

Hysen Memolla, Ivan Balliu dhe Valon Ahmedi janë tre emrat e rinj në listë, pasi tekniku ka ndjekur ecurinë tyre në kohët e fundit dhe është gati t’u japë mundësinë të tregojnë vlerat e tyre edhe me fanellën kuqezi.

I pari është Hysen Memolla, mbrojtësi i majtë që po shkëlqen me Hajdukun e Splitit. 25-vjeçari ka marrë vlerësime pozitive thuajse në çdo ndeshje në këtë edicion në Ligën e Europës duke rënë në sy edhe të ekspertëve ndërkombëtarë, ndaj Panuçi e ka parë të arsyeshme ta ftojë këtë futbollist që do të rivalizojë me Alijin për të zënë vendin e Agollit në një të ardhme jo shumë të largët.

Mbrojtësi tjetër është një rival për Elseid Hysajn. Bëhet fjalë për Ivan Balliun, futbollistin e rritur në akademinë e Barcelonës. Ai është lindur në Spanjë nga prindër shqiptarë, është aktivizuar me skuadrat e moshave të Barcelonës, e gjithashtu edhe me kombëtaret spanjolle U16 dhe U19 dhe tani aktivizohet te Metz në Francë.

Emri i tretë është ai i Valon Ahmedit, i cili në të kaluarën ka veshur fanellën e përfaqësueses Shpresa. Mesfushori organizativ tregoi se është një element me shumë perspektivë duke ndihmuar me lojën e tij që Maribori të kualifikohej në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, i vlerësuar shpeshherë si lojtari më i mirë në fushë. De Biazi ishte prej kohësh në kërkim të një organizatori të mirëfilltë për ekipin, por shpërthimi i 22-vjeçarit duket se do t’i mundësojë pasardhësit të tij që të ketë në dispozicion një alternativë cilësore për të ndryshuar stilin e lojës së kuqezinjve.

MUNGESAT

Pannuci ka vendosur të mos grumbullojë për këtë ndeshje Taulant Xhakën, Ergys Kaçen, Shkëlzen Gashin dhe Naser Alijin, me këtë të fundit që është i vetmi “i justifikuar” për shkak të një dëmtimi të pësuar që e ka lënë jashtë fushave të lojës. Mungesë e paparashikuar është ajo e Ermir Lenjanit, i cili së fundmi kishte filluar të aktivizohej rregullisht me Sionin në kampionatin zviceran të futbollit.

Jashtë mbetet edhe Bekim Balaj, i cili ka qenë i dëmtuar së fundmi dhe nuk është në formën më të mirë.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!