Logu i Tërgajës: Rikthim i traditës shumëshekullore pas dy dekash

Rikthimi i organizimit të këtij logu ka si synim parësor, ruatjen e dokeve, zakoneve dhe të traditës kulturore dhe shpirtërore të trevës së Malësisë, kultivimin dhe afirmimin e vlerave etno- kulturore, si dhe bashkimin e popullit të Malësisë, pavarësisht se cilit konfesion apo orientim politik i takon.

Në një natyrë piktoreske, përbri ujit të freskët dhe të kristaltë të lumit Cem, pas njëzet vitesh të plota, u organizua logu tradicional i Tërgajës, në vendit ku vite me radhë me rastin e 15 – gushtit, ditës së Zojës së Madhe, (Zojës së Grudës) u tubuan me mijëra veta nga të gjitha trevat e Malësisë dhe nga diaspora shqiptare, për të biseduar me njëri – tjetrin dhe për t’u argëtuar.

Riorganizimin e logut të sivjetshëm pas dy dekadash të plota e mundësuan vëllazëria Berishaj me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në bashkorganizim me SHKA “Koha” nga Dinosha.

Në këtë manifestim i cili sipas organizatorëve do të bëhet sërish i përvitshëm, të pranishëm ishin një numër shumë i madh i publikut të ardhur nga të gjitha viset e Malësisë, nga Ulqini, Kraja, por edhe mysafirë nga Kosova, Shqipëria dhe bashkëatdhetarë nga vende të ndryshme të Evropës, SHBA-së dhe gjetiu si dhe figura të njohur publike dhe politike.

Sipas organizatorëve të këtij manifestimi të prononcuar për gazetën “Koha Javore”, rikthimi i organizimit të këtij logu ka si synim parësor, ruajtjen e dokeve, zakoneve dhe të traditës kulturore dhe shpirtërore të trevës së Malësisë, kultivimin dhe afirmimin e vlerave etno- kulturore, si dhe bashkimin e popullit të Malësisë, pavarësisht se cilit konfesion apo orientim politik i takon.

“E kemi pasur përherë si ide për ta rikthyer këtë log dhe tani vendosem ne fisi i Berishajve që pas 20 – vjetësh, ta rikthejmë logun e Tërgajës, ashtu siç ka qenë dikur një traditë e mrekullueshme dhe qindravjeçare e cila nuk filloi nga ne por nga paraardhësit tonë të cilët në ato kohëra nuk kishin shumë mundësi, kurse ne sot i kemi të gjitha mundësitë dhe kështu do ta bëjmë tani e tutje tradicionale dhe të përvitshëm. Qëllimi i rikthimit të logut është bashkimi i malësorëve, pa marrë parasysh cilës fe i takon dhe cilit orientim politik, pra që Malësia të jetë e bashkuar si gjithmonë”, u shpreh Ëjllo Berishaj, organizator.

Ndërkaq, Sylejman Beqaj, kryetar i SHKA “Koha” dhe bashkorganizator i këtij evenimenti tregon se organizimet e tilla e hijeshojnë këtë vend, janë të qëlluara dhe të mirëpritura kurdoherë.

“Synimi ynë është që nëpërmjet këtij riorganizimi, t’ i rikthejmë disa tradita të vjetra të cilat ishin lënë pasdore e të cilat kanë vlera të çmuara dhe në këtë mënyrë do t’i ringjallim ato, do t’i ruajmë dhe do ti kultivojmë. Ky log bashkon dhe afron popullin tonë në Malësi i cili ka mundësi që të njihet më mirë me njëri – tjetrin ”, u shpreh Beqaj.

Në këtë manifestim kulturor – tradicional ku morën pjesë shoqata kulturore – artistike nga Malësia dhe nga Shkodra si dhe rapsodët, Fran Kodra dhe Ndue Shytani, u shpalos  një program i pasur me këngë dhe valle burimore të trevës së Malësisë i gërshetuar edhe me këngë nga eposi i kreshnikëve dhe me humor.

Në fund këtij programi folklorik, i ftuar nga organizatorët ka qenë, këngëtari i njohur nga Kosova, Z. Ilir Shaqiri cili duke u mirëpritur ngrohtësisht, i argëtoi të pranishmit me disa këngë nga repertori i tij i pasur muzikor.

Në fund, për të gjithë të pranishmit është shtruar një koktej./KohaJavore/t.u/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!