Ndërron jetë piktori i shquar nga Malësia, Gjelosh Gjokaj

Sot në orën 7;15 në një spital të Bayernit u nda nga jeta piktori i njohur shqiptar Gjelosh Gjokaj.

I ndijeri ishte anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ishte themelues i shkollës së artit pamor – grafikës në Prishtinë. Ai la pas vetes më shumë se 3 mijë vepra në pikturë e grafikë.

Gjelosh Gjokaj ka lindur në vitin 1933 në Milesh të Tuzit në Mal të Zi.

Në Beograd kreu Shkollën e Mesme të Artit dhe më pas, studimet e larta në Akademinë e Artit. Diplomohet më 1963. Në vitet 1964-1969 themeloi degën e grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Nga viti 1969 deri më 1983, punoi dhe jetoi në Romë.

Kryeministri Edi Rama ka shprehur sot ngushëllime dhe njëherazi keqardhje për ndarjen nga jeta të piktorit Gjelosh Gjokaj.

Në statusin e tij social Facebook mesditën e së dieles, kryeministri Rama shprehet:

“ADDIO MAESTRO.

I lindur në Malin e Zi dhe i formuar në shkollën jugosllave të pikturës, Gjelosh Gjokaj u bë maestroja që njohim të gjjthë, në Itali e pastaj Gjermani, ku piktura e tij mori trajtat e mirënjohura të personalitetit artistik të Gjeloshit. Mik si vëlla i Martin Camajt, Gjelosh Gjokaj na ka lënë një koleksion perlash të dala prej gurrës së kësaj miqësie mes poetit e piktorit, ndërsa thesarit të trashëgimisë sonë artistike i ka lënë një vepër të tërë dinjitoze”.

“Ndarja e tij nga jeta është e trishtueshme, pasi ndërpret një fazë tejet interesante ku kishte hyrë krijimtaria e tij, në moshën që Pikaso e quante ideale për t’u rikthyer në fëmijë! Por edhe personalisht, humbja e Gjeloshit më trishton, sepse na lidhi me të një miqësi e gjatë, lindur në fillimvitet ’90 kur studioja e tij në Augsburg, bëhej edhe dhoma ime e gjumit sa herë e vizitoja maestron e dashur! Ai iku pasi ia doli të lërë pas një vepër të bukur dhe një kujtim të mirë tek të gjithë ata që patën fatin ta njohin”, shkruan Rama

Shperndaje