Kristjan Gj. DUKAJ
Politikolog
Rëndom, me afrimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve, të çfarëdo niveli qofshin ato, edhe aktivitetet parazgjedhore janë më intensive pasi pjesëmarrësit në procesin zgjedhor bëjnë përpjekjet maksimale për të fituar ndonjë votë më shumë. Por, ku është qytetari votues mes nevojave të përditshme dhe pritjeve, realisht të kapshme, si rezultat i votës së dhënë listës së caktuar zgjedhore? Ngecja e gjatë në realizimin e nevojave dhe kërkesave të qytetarëve si pasojë, më së shpeshti, ka mosinteresimin e elektoratit madje edhe për të votuar, nga pritja e gjatë për ndonjë ndryshim pozitiv.
Strukturat politike, kryesisht, me oferta tashmë të njohura dhe të përsëritura nga zgjedhjet në zgjedhje, vështirë se mund të motivojnë votuesin në masë të mjaftueshme për të kryer obligimin qytetar edhe pse i vetëdijshëm se vetëm përmes votës mund të ndryshoj situatën. Humbja në kohë në negociata dhe bisedime të gjata për formimin e koalicioneve parazgjedhore vetëm se e zbenë besimin e votuesve për mënyrën se si do të funksionojnë aleancat e tilla ndërpartiake në periudhën pas zgjedhjeve, atëherë kur elektorati është në pritje të realizimit të premtimeve nga programet zgjedhore. Nëse i referohemi përvojës nga e kaluara jo e largët vështirë se mund të gjejmë argumente për ndonjë lëvdatë të tepruar në këtë drejtim.
Zgjedhjet vendore janë rast i mirë, jo vetëm për të dëgjuar oferta dhe premtime nga më të bukurat por, njëkohësisht, për të kërkuar përgjigje nga politikë bërësit për mosrealizimin eprojekteve në mandatin(mandatet) nga e kaluara. Andaj, është e arsyeshme që njëra nga pritjet kryesore duhet të jetë kujdesi i strukturave politike ndaj të rinjve. Hapja e vendeve të reja të punës, respektivisht punësimi i të rinjve duhet të jetë në prioritetet e angazhimeve të cilësdo strukturë politike nga treva e Malësisë.
Është lajm i mirë kur mësojmë për zgjidhjen e kësaj çështje jetike për ndonjë të ri pasi kjo çështje, sidomos, në trevat tona është shumë e ndjeshme me përqindje tepër të madhe të të papunësuarve krahasuar me numrin e përgjithshëm të banorëve. Ata që kanë kontribuar në këtë drejtim, meritojnë përkrahjen nga elektorati , pasi vota nuk është thjesht vetëm një numër por, në radhë të parë, duhet të jetë shtysë dhe forcë për suksese të reja drejtë për një të nesërme më të mirë.
Vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet perspektiva e duhur në trevat tona, si parakusht për të ndaluar emigrimin e bashkëvendësve tonë nga këto hapësira.