Vilson Sinishtaj: Malësinë duhet ta mbrojnë malësorët nga e gjithë bota

Nën organizimin e Shoqatës “Jehona e Malësisë”, është shënuar në Michigan, 150 vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës, ndër personalitetet më të fuqishme të letërsisë shqiptare, atdhetarit dhe mbrojtësit të denjë të çështjes kombëtare, kundër copëtimit të trojeve etnike dhe terrorit që ju bëhej shqiptarëve nën regjimet e huaja.

Manifestimi kulturor është zhvilluar të dielën, më 24 tetor, në sallën e Kishës Katolike Shqiptare në Rochester Hills, ku mysafirë nderi dhe me referatin kryesor, u prezantua kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Vislon Sinishtaj, si dhe Akademiku Prof. Dr. Anton Kolë Berishaj.

Aktiviteti është mundësuar nga “Jehona e Malësisë”, shoqatë e krijuar afër një muaj më parë, të cilës i prin Vilson Sinishtaj.

Shoqata “Jehona e Malësisë” është shoqata më e re shqiptare e formuar në shtetin e Michigan-it dhe ky është aktiviteti i parë i organizuar për nder të 150 vjetorit të At Gjergj Fishtës , duke dëshmuar cilësi të lartë që në daljen e tyre të parë publike.

Nga kjo shoqatë kanë paralajmëruar shumë projekte në përkrahje të komunitetit shqiptar në shtetin e Michiganit dhe posaçërisht vendlindjes.

Pasi ka përshëndetur të pranishmit, në fjalimin e tij, kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Vislon Sinishtaj ka përkujtuar vlerën e kolosit të kombit, At Gjergj Fishtës. Ai ka përshëndetur të ardhurit nga Kosova, Malësia dhe New Yorku, duke shprehur respekt për ardhjen e tyre në këtë manifestim të madh.

Sinishtaj ka folur për historinë e dhimbshme kombëtare, se armiqtë e kanë dashur Shqipërinë pa shqiptar, duke u munduar ta çrrënjosin kombin, gjuhën e traditën shqiptare.

Në veçanti, Vilson Sinishtaj foli për vlerën e Lahutës së Malësisë, të At Gjergj Fishtës dhe ndikimit që kishte te kombi shqiptar dhe Malësia, si Homer i kombit shqiptar. Po ashtu, ka folur për vlerën e arsimit për të përparuar kombi.

Ai ka diskutuar për arritjet në Malësi, pushtetin vendor si dhe angazhimin e mërgatës për ta fituar sfidën kundrejt pushtetit malazias. Po ashtu, ai ka vlerësuar punën e madhe që po bën pushteti lokal në Malësi duke e quajtur të shumëpritur.

Largimi dhe asimilimi janë rreziqe që i kanosen malësore ka shtuar Sinishtaj, duke e quajtur gjenocid të heshtur. Presioni ndaj malësorëve nuk po ndalet, ai vijon të jetë i madh, për ta spastruar etnikisht nga shqiptarët. Këtë rrezik, z. Sinishtaj e sheh si permanent. Këtu e gjen në përkrahje At Gjergj Fishtën, arsimimin, kontributin e klerit katolik.

Shkolla pa mirëmbajtje, kushtet e mjerueshme, ishin ilustrimet që solli z. Sinishtaj, si motive për largim nga vendi dhe mungesa e perspektivës për shkollim cilësor dhe të ardhme të ndritur në Malësi.

Z. Sinishtaj ka ftuar mërgimtarët për unitet, sepse, pa diasporën, Malësia vetëm nuk mund të rezistojë ndaj asimilimit dhe gjenocidit të heshtur.

Ai ka ftuar të pranishmit të jenë unik, të arsimojnë brezat për t’i dhënë dritë brezave në Malësi.

Shperndaje