Ostros: Dominoi muzika dhe kënga sllave

Me përjashtim të prodhimeve vendore dhe organizimit teknik që ishte në nivelin e duhur, pjesa tjetër si edhe vitin që shkoi lë për të dëshiruar. Në skenë nuk u vërejt asnjë element i kulturës vendore autoktone, që bie ndesh me valorizimin e kulturës së trevës. As edhe një fjalë artistike nuk u tha shqip në skenën e manifestimit

Ostros – Manifestimi bujqësor, turistik e kulturor tashmë tradicional “Dita e gështenjave” u mbajt të shtunën në Ostros. Ishte ky manifestimi i 11-të me radhë. Edhe kësaj here sikurse në tre-katër vitet e fundit, manifestimi u organizua nën patronatin e Bashkësisë Lokale Ostros, Komunës së Tivarit dhe Organizatës Turistike të Tivarit, në kuadër të festimeve të Ditës së Komunës së Tivarit.

Dita pa reshje bëri të mundur që manifestimi të mos ketë pengesa organizative. Në këtë ditë manifestuesit e shumtë nga të dy anët e kufirit patën rastin e mirë që të shijojnë frytin e shijshëm të gështenjës së Krajës, por edhe të prodhimeve të tjera bujqësore e blegtorale të kësaj krahine. Pse jo dhe të tregtojnë, ngase banaqe të shumtë me oferta të bollshme ishin të mbushur me prodhime vendase – gështenja dhe prodhime tjera bujqësore e blektorale, peshk, duhan etj.

Manifestimin e hapi solemnisht nënkryetarja e komunës së Tivarit, Sanella Liçina.

“Me realizimin e këtij manifestimi nxisim vlerat ekologjike autoktone, trashëgiminë tonë natyrore, e gjithë kjo në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të kësaj treve. Prezantojmë xhevahiret në këtë pjesë të Adriatikut kushtuar kësaj bime autoktone, e cila edhe sot është e mundshme të valorizohet. Kjo zonë na jep të drejtë të gjithëve që jemi sot këtu të jemi optimistë për të ardhmen e vendit. Këto projekte që i mbështetë komuna e Tivarit u mundësojnë njerëzve të kuptojnë që në këtë vend vlen të bëhen përpjekje dhe të jetohet”, tha ndër të tjera ajo.

Kryetari i Bashkësisë Lokale Ostros, Vebija Dodiq, shprehet shumë i kënaqur me manifestimin.

“Në bashkëpunim me miqtë dhe partnerët tanë kam ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme që manifestimi të shkojë mbarë. Shprehi kënaqësinë time të pakufishme që çdo gjë shkoi mirë. Falënderoj komunën e Tivarit, Organizatën Turistike dhe donatorët e shumtë që na ndihmuan”, theksoi ai.
Të pranishëm në manifestim ishin edhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Tivarit, Radomir Novakoviq, kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmed Zenka etj.
Në pjesën kulturore artistike morën pjesë këngëtarët Suad Shaptafi, Dino Beharoviq, Elizabeta Marku, Roksana Cimert, orkestri Omer Hoxhiq nga Tivari dhe poeti e humoristi Rajko Joliçiq nga Tivari.
Këtë ditë ra në sy aktiviteti i Forumit Rinor të Shoqatës Atdhetare “Kraja”, të cilët grumbulluan nënshkrime për hapjen e pikës kufitare Skje –Zogaj.
Sipas fjalës së kryetares së Forumit, Medina Cura, nënshkrimet do të vazhdojnë t’i mbledhin edhe në ditët në vijim.
Lidhur me këtë peticion, anëtarët e Shoqatës shpërndanë afishe me arsyetimin se pse duhet të hapet pika kufitare Skje – Zogaj. Në të janë shënuar qartë nevojat e hapjes së kësaj pike kufitare.
Përshtypjet dhe opinionet mbi manifestimin janë të ndryshme ngaqë secili i sheh nga këndvështrimi i vet. Një gjë është e sigurt, ngase mbetën për një kohë në kujtesën tonë si të vendasve ashtu dhe mysafirëve: Ambienti pa ndonjë ndryshim nga viti i kaluar, skenari po ashtu, panotë pa asnjë ndryshim, me përjashtim të aktorëve në skenë. Përshtypjet e shumicës: me përjashtim të prodhimeve vendore dhe organizimit teknik që ishte në nivelin e duhur, pjesa tjetër si edhe vitin që shkoi lë për të dëshiruar. Dominoi muzika dhe kënga sllave. Në skenë nuk u vërejt asnjë element i kulturës vendore autoktone, që bie ndesh me valorizimin e kulturës së trevës. As edhe një fjalë artistike nuk u tha shqip në skenën e manifestimit.

Sigurisht që pati të kënaqur, por opinioni artdashës shqiptar nuk mund të thuhet se pati rast ta shijojë kënaqësinë që duhet ta kishte ky manifestim autokton në Krajë.
Sllavizimi i toponimeve, mikrotoponimeve, objekteve të trashëgimisë shpirtërore e kulturore që po ndodhin vite me radhë, assesi të ndalen edhe sot e gjithë ditën, nuk çojnë drejt valorizimit të ofertës turistike të trevës, por drejt tjetërsimit të trashëgimisë, shtrembërimit të historisë etj.
Manifestimi përfundoi, siç kanë përfunduar edhe shumë të tillë. Shkoi secili në punë të vet. Jeta vazhdon. Kraja ka shumë probleme. Me këto probleme ballafaqohen kranjanët që ende jetojnë në Krajë. Pak banorë kanë mbetur këtu. Mungesa e investimeve, anashkalimi i kërkesave jetike bërë këtu e 27 vitë në vazhdimësi ndaj qytetarëve të kësaj treve, më e prapambetura në komunë.
Përveç premtimeve, nuk u bë asgjë. Erdhën, kaluan një ditë të bukur, por askush nuk e hapi gojën për mosrealizimin e premtimeve.

Ali Gjeçbritaj

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!