Kurti-Gjukanoviq, bisedë telefonike rreth pandemisë dhe dialogut Kosovë-Serbi

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ku temë e veçantë e bisedës ishte edhe dialogu me Serbinë.

Sipas Qeverisë, kryeministri Kurti e njoftoi presidentin Gjukanoviq për luftën kundër pandemisë, duke theksuar rënien e infektimeve të reja dhe numrin e vogël të viktimave.

Ai tregoi për dy pako të Qeverisë së Kosovës për ta menaxhuar situatën e krijuar ekonomike, pakon emergjente fiskale, për ta menaxhuar situatën e krijuar dhe pakon e dytë për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike prej efekteve të pandemisë.

Nga ana e tij, presidenti Gjukanoviq e përgëzoi kryeministrin në detyrë Kurti për punën e mirë në të dyja rrafshet dhe e njoftoi atë se Mali i Zi nuk ka asnjë të infektuar më me COVID-19 dhe zyrtarisht e ka përfunduar pandeminë.

“E gjithë puna e Qeverisë është e koncentruar në rihapjen e hotelierisë dhe funksionalizimin e turizmit, për t’i sanuar sa më shpejtë vështirësitë e krijuara ekonomike”, tha ai.

Qeveria nëpërmjet një komunikate thotë se temë e veçantë e bisedës ishte edhe dialogu me Serbinë.

Me këtë rast kryeministri në detyrë, Kurti tha se është për një dialog të përgatitur mirë e me parime dhe jo për një zgjidhje të shpejtë, nën udhëheqjen e BE-së dhe ShBA-ve, të cilat nuk mund të zëvendësohen apo ta përjashtojnë njëra tjetrën.

Presidenti Gjukanoviq theksoi se procesi i dialogut me Serbinë është një nga faktorët kyç për stabilitetin e rajonit dhe integrimin e tij në BE.

Ai u pajtua se nuk ka zëvendësim për BE-në dhe ShBA-të në rajon dhe e siguroi kryeministrin në detyrë Kurti se Mali i Zi do të jetë gjithmonë fqinj i sinqertë dhe do të bashkëpunojë ngushtë me shtetin e Kosovës.

Shperndaje