Pacolli në Podgoricë: Ratifikimi i Demarkacionit për momentin i pamundur

Zëvendëskryeministari i parë i Kosovës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli është duke qëndruar në Mal të Zi ku është takuar me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, Kryetarin e Kuvendit, Ivan Brajoviq, Ministrin e Drejtësisë, Zoran Pazhin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Srgjan Darmanoviq.

Pacolli në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij Srgjan Darmanoviq, ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Parlamentin e Kosovës është i pamundur në këtë moment për shkak të situatës që është sot në Parlamentin e Kosovës.

“Ne jemi të vetëdijshëm që marrëveshja është nënshkruar por kërkojmë mirëkuptim dhe durim”, ka thënë Pacolli në gjuhen malazeze.

Pacolli shtoi se Kosova falënderon Malin e Zi për mbështetjen dhe ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë marrëveshje strategjike me Malin e Zi. Ne jemi të gatshëm të organizojmë mbledhje të përbashkët qeveritare, një apo dy herë në vit, në Podgoricë ose në Prishtinë, tha Pacolli.

Ndërsa Darmanoviq është shprehur se demarkacioni për Malin e Zi është punë e përfunduar.

“Unë besoj se institucionet e Kosoves do të marrin vendimin për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit, duke u bazuar në atë se kufijtë që kanë ekzistuar në ish Republikën Federative të Jugosllavisë janë vërtetuar nga dy komisionet tona dhe një komision ndërkombëtare. Siç kam deklaruar më herët, demarkacioni mes dy vendeve është punë e kryer”, ka thënë ai.

Darmanoviq shprehu pritjet se do të realizohet firmosja e marrëveshjes trepalëshe mes Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë për pikën e takimit të kufijve shtetërorë të të tre vendeve. Ai pret edhe njohjen e pakicës malazeze me Kushtetutën e Kosovës si edhe hapjen e pikëkalimit të ri kufitar me Kosovën.

Pazhin: Presim qëndrim zyrtar të Qeverisë së Kosovës për Demarakcion

Fotografia e Behgjet Pacolli

Ministri i Drejtësisë së Malit të Zi, Zoran Pazhin gjatë takimit me Pacollin ka thënë se në Malin e Zi, Kosova ka një mik të sinqertë dhe një partner të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, me qëllim të stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në të gjithë rajonin.

Pazhin shprehu shpresën se institucionet e Kosovës së shpejti do të gjejnë një model për të përfunduar procesin e ratifikimit të Marrëveshjes Kufitare Shtetërore midis Malit të Zi dhe Kosovës dhe se Mali i Zi pret qëndrim zyrtar të Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

Pacolli theksoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një nga prioritetet e qeverisë së re të Kosovës.

“Në këtë kontekst, ai gjithashtu paraqiti synimet e politikës së jashtme të vendit të tij, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe marrëdhnjëve të përgjithshme me Malin e Zi.

Anton-GjokajAnton Gjokaj

Shperndaje