LDSH: Kemi fituar ftesë për bisedime për përkrahjen e kandidatëve presidencial

Të nderuar qytetarë

Zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi po afrohen dhe, edhe pse asnjë nga forcat kryesore politike nuk ka zbuluar akoma emrin e kandidatit, interesimi për bisedime dhe për përkrahje eventuale, të subjekteve të cilat nuk ka gjasa se do të kenë kandidat të vet, gjithnjë po rritet. Së këndejmi, ftesa të tilla veç kanë ardhur edhe në adresë të Lidhjes Demokratike Shqiptare.

Duke vlerësuar se zgjedhja e presidentit të shtetit paraqet interes jetik, për mbarësinë e rrugëtimit demokratik të një shoqërie, LDSH-ja, si subjekt serioz, parimor e me përgjegjësi, ka vendosur që t’u përgjigjet ftesave për bisedime, të të gjithë akterëve që garojnë për president të Malit të Zi.
Po ashtu, LDSH shpreh gatishmëri për bashkëpunim me subjektet e tjera shqiptare, në mënyrë që të koncentrojmë forcën dhe pozicionet për bisedime, por me kusht që të lëmë hapësirë për bisedime me të gjithë kandidatët që përqafojnë vlerat integruese euro-atlantike, dhe pastaj, mundësisht edhe bashkërisht, të vendosim mbi hapat e mëtejmë në këtë drejtim.

Natyrisht, nëse një iniciativë e këtillë nuk jep rezultate, ne jemi dëshmuar se dimë ta bëjmë politikë edhe vet, prandaj si të vetëm do të shohim se cili është interesi i shqiptarëve në Malin e Zi dhe konform tij do të veprojmë. Ne, asnjëherë nuk qëndruam, dhe as nuk do të qëndrojmë inferior ndaj çështjeve me rëndësi, por do të punojmë në faktorizimin e shqiptarëve në përgjithësi.

Të vetëdijshëm se zgjedhjet për president nuk krijojnë kushte as hapësirë për kërkesa, sikur ndodhë gjatë formimit apo përkrahjes së qeverisë, qoftë qendrore, apo lokale, ne nuk kemi ndërmend të bëjmë marrëveshje të reja, për projekte të cilat, siç na dëshmon përvoja, nuk realizohen kurrë, siç janë punimet në infrastrukturë, e për t’u dhënë hapësirë që përsëri të shkelen, por vlerësojmë se është e drejtë që të kushtëzojmë përkrahjen tonë eventuale me një seri kërkesash të cilat mund të zgjidhen, e që paraqesin kërkesa bosht të veprimtarisë sonë politike, si fjala bie: sistem shkollor më të avancuar dhe shqip, në të gjitha nivelet; përcaktimi i kufijve të jashtëm të komunës së Malësisë, konform linjës etnike të Malësisë, për çka, gjatë bisedimeve për zgjedhje të statusit, folëm vetëm ne (me statusi s’do të merremi pasi që të tjerët thonë se veç e kanë kryer); punësimet në komunë, në kufi, dogana e gjetiu, në menyrë parimore, pa kërkesa vetanake për pozita; prona në Vuksanlekaj, dhe pronat e tjera në Malësi, Ulqin, Tivar, Plavë Guci e Rozhajë, për të cilat kemi ngritur zërin gjatë tërë kohës, si edhe dhënia e lejes për vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në qendër të Tuzit, projekt për të cilën LDSH ishte zë i vetmuar, gjatë fushatës parazgjedhore, si projekt që duhet realizuar gjatë këtij viti, vitit të shpallur si Viti i Skënderbeut.

Si gjithnjë, në shërbimin Tuaj, LDSH

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!