SHBA dhe BE njohin Talat Xhaferin kryeparlamentar të Maqedonisë

Përmes Ambasadës në Maqedoni, SHBA ka njoftuar se e njeh si kryetar të Kuvendit në Maqedoni Talat Xhaferin.

Xhaferi u zgjodh sot kryeparlamentar dhe menjëherë pas zgjedhjes së tij qytetarët sulmuan deputetët brenda Kuvendit duke lënduar rënd disa prej tyre.

Pas kësaj situate, SHBA ka reaguar duke thënë se dënon dhunën në Parlament dhe se kjo nuk i takon demokracisë dhe është plotësisht e papranueshme.

“Një shumicë e deputetëve zgjodhën Talat Xhaferi si kryetar të Parlamentit gjatë një seance të rregullt në të cilën dëshmitarë ishin edhe zyrtarë publikë e mediat. Ne do të punojmë me të që të përkrahim demokracinë dhe të çojmë përpara interesat e Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e SHBA-së.

Përkrahje për Xhaferin kishte shprehur pak orë më parë edhe Bashkimi Evropian.

BE e sheh pozitive përzgjedhjen e Xhaferit kryeparlamentar

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka dënuar dhunën e sotme në Parlamentin e Maqedonisë.

Në njoftimin e BE-së, thuhet se përzgjedhja e Talat Xhaferit është pozitive dhe demokracia duhet të vazhdohet.

BE ka kërkuar nga Policia dhe Ministra e Brendshme të ruajnë qetësinë në vend.

Thaçi: Qytetarët në Maqedoni nuk duhet të bien pre e provokimeve

Edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar për situatën e tensionuar në Maqedoni.

Ai ka uruar Talat Xhaferin për postin e kryetarit të Kuvendit.

“Po i përcjell me shqetësim ngjarjet në Republikën e Maqedonisë. E përshëndes zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit maqedonas, z. Talat Xhaferi, dhe apeloj tek të gjithë që të përmbahen nga veprimet e dhunshme dhe shpresoj që qytetarët atje të mos bien pre e provokimeve”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Presidenti i Kosovës më tutje ka thënë se Marrëveshja e Ohrit është korniza e duhur, e cila siguron funksionimin demokratik të Maqedonisë.

Maqedoni: Xhaferi kryetar i Parlamentit, protestuesit futën në sallë, Sela në gjendje kritike për jetë?

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!