Zenka, Dukaj dhe Dasharami pritën nga zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës

Delegacioni nga Mali i Zi i përbërë nga  z.Mehmet Zenka– Ministër për Pakica dhe të Drejtat e Njeriut, z.Marash Dukaj – Zëvendësminister në Ministrinë e Arsimit, z.Valon Dasharami – Sekretar i Përgjithshëm në Ministrin për Pakica dhe të Drejta të Njeriut dhe z.Enver Buçaj – Ministër Këshilltar i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Podgoricë, qëndruan për vizitë në Kosovë ky u pritën nga zyrtarë të lartë.

Hoxhaj premton më shumë vende të rezervuara për studentë nga Mali i Zi

 Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në takimin që pati me ministrin Zenka i premtoi atij se do rritet numri i vendeve të rezervuara për studente shqiptarë nga Mali i Zi, përcjell Malësia.ME

“Kosova e pavarur nënkupton përmbushjen e kërkesave dhe pritjeve të qytetarëve tanë në Kosovë, por edhe të shqiptarëve që jetojnë përreth Kosovës. Prandaj, në takimin e sotëm me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicat në qeverinë e Malit të Zi diskutuam për kuotat që universitetet publike në Kosovë duhet t’i ofrojnë për shqiptarët e Malit të Zi, duke pasur parasysh që interesimi i tyre për të studiuar në Kosovë është i madh”, shkruan Hoxhaj në facebook. “Një projekt që do ta realizojmë shumë shpejtë”, ka shtuar më tej.

Gjatë ditës, edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Shyqir Bytyqi priti në takim delegacionin nga Mali i Zi.

Sipas njoftimit të MASHT-it, me këtë rast, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit, konkretisht sigurimin e kuotave për regjistrim të studentëve dhe lirimin nga pagesa me rastin e strehimit në konvikte.

Ministri Bytyqi u shpreh se, është i gatshëm që të mbështesë arsimin dhe edukimin e të rinjve shqiptarë të Malit të Zi dhe se një gjë e tillë është obligim kombëtar, ndërsa sa i përket çështjes së kuotave, më saktësisht është i nevojshëm një bashkëbisedim me universitet publike për të parë mundësitë që kanë.

Ministri Bytyqi po ashtu tha se, është i interesuar që kjo çështje të zgjidhet për një periudhë të gjatë kohore dhe do të insistojë që kjo të bëhet në koordinim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë dhe në bashkëbisedim me përfaqësuesit e shqiptarëve të Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë.

“Qasja ime në këtë drejtim do të jetë shumë pozitive, por zgjidhja mund të ndikohet edhe nga mundësitë buxhetore”, theksoi ministri Bytyqi.

Mehmet Zenka, e falënderoi ministrin Bytyqi për pritjen dhe gatishmërinë që Kosova të mbështesë shkollimin e të rinjve shqiptarë të Malit të Zi në studime të larta dhe theksoi se shqiptarët e Malit të Zi janë përherë falënderues për mbështetjen që gjithmonë e kanë gjetur në Kosovë.

Marash Dukaj, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit theksoi se, mbështetja e studentëve shqiptarë të Malit të Zi është nevojshme veçanërisht për faktin se në Mal të Zi nuk kanë një mundësi të tillë, ndërkaq insistoi që brenda mundësive, studentët e Malit të Zi të lirohen edhe nga pagesa e konvikteve, ndërsa theksoi nevojën e sigurimit të kuotave edhe në nivelet master dhe doktoraturë.

Zenka, dukaj dhe dasharami u pritën në takim edhe nga rektori i universitetit të prishtinës

Zenka, Dukaj dhe Dasharami u takuan edhe me Rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema. Ndërkaq, në këtë takim, Rektori Dema ishte i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i UPHP-së, z. Esat Kelmendi dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, prof. dr. Tahir Arbneshi.

Tema e bosht e diskutimit në këtë takim ishte sigurimi i kuotave të veçanta për studentët nga Mali i Zi, të cilët dëshirojnë të studiojnë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Rektori Dema pasi informoi delegacionin nga Mali i Zi për përparimet e fundit në Universitetin e Prishtinës, Dema siguroi delegacionin mysafirë në mbështetjen e vazhdueshme të drejtuesve të UPHP-së në sigurimin e lehtësirave të nevojshme për studentët shqiptarë të Malit të Zi, të cilët vendosin që të studiojnë në UPHP.

Në anën tjetër, ministri Zenka, falënderoi Rektorin Dema për pritjen dhe gatishmërinë e treguar për të mbështetur studentët nga Mali i Zi.
“Për Kosovën çështje teknike, për ne çështje jetike”, u shpreh Zenka tek foli për çështjen e sigurimit të kuotave të veçanta për studentët shqiptarë nga Mali i Zi për regjistrimin e studimeve në UPHP. Ndër të tjerash, ministri Zenka tha që “UPHP që nga themelimi ka forcuar ndjenjën kombëtare tek shqipfolësit kudo, duke shërbyer si prodhuesi më i madh i intelektualeve të kombit shqiptar”.

Përveç kërkesës për sigurimin e kuotave të veçanta për studentët nga Mali i Zi për regjistrim në UPHP, në këtë takim u diskutua edhe për mundësi të tjera të bashkëpunimit, si dhe për lehtësira të tjera të cilat UPHP do të mund të implementonte për studentët nga vendi fqinj.

vizituan studentët shqiptarë nga MALI I ZI

Zenka, Dukaj dhe Dasharami vizituan edhe qëndren studentore në Prishtinë, ku u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës së Studentëve z. Fatmir Sfishta dhe zyrtarët e QS-së ku u informuan për kushtet dhe punën që zhvillohet në këtë institucion.

Gjatë qëndrimit ata u takuan me studentët e Malit të Zi të cilët studiojnë dhe jetojnë në Qendrën e Studentëve dhe iu ofruan atyre mbështetje institucionale.

/Malësia.ME/

 

 

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!