Edi Rama: Do të jem kryeministër i gjithë shqiptarëve

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në fjalimin e tij në tubimin e festës së fitores ka thënë se kjo fitore ishte më e vështira, më e madhja dhe më e bukura e PS-së.

Ai ka thënë se do të jetë kryeministër i gjithë shqiptarëve dhe se kërkon një bashkëpunim të sinqertë me opozitën, njofton Klan Kosova.

“Ne kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqi të jashtëzakonshme, të një shpirti gare që s’ka të dytë. Kampione në fuqi, kampione përsëri”.

“Më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, njerëzit e zakonshëm që me urtësinë e tyre dhe votën e tyre kaluan një provë të madhe karakteri në një moment kaq sfidues për shqiptarët. Shqipëria votoi, vendosi dhe fitoi. Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme dhe përballë fatkeqësisë natyrore”.

Rama ka thënë se mision ka bërjen e vendit duke punuar më fort dhe jo duke u ankuar më shumë.

“Fitoi durimi ynë i kalitur në vështirësi të mëdha dhe gatishmëria jonë për të derdhur djersë më shumë. Gëzuar fitoren sepse është e gjitha e juaja. Ne duhet merituar këtë fitore në çdo ditë dhe natë të katër viteve që kemi përpara”.

“Duhet bërë natën ditë me punë të palodhur dhe përkushtim të paepur”.

Rama-Bashës: Ta mundësh PS-në është po aq e pamundur sa të mundësh Barcelonën e Guardiolës

Fituesi i zgjedhjeve në Shqipëri, Edi Rama, ka thënë për Partinë Demokratike ka qenë e pamundur fitorja karshi Partisë Socialiste të tij.

“Është detyrë e jonë që të mos t’i bëjnë të ndihen keq edhe më keq se që ndihen nga fitorja jonë rivalët tanë demokratë. Lulzim Basha dhe Partia Demokratikë bënë fushatën më të mirë në historinë e humbjeve të tyre. Ata ishin më skuadër se në të gjitha herët e tjera dhe përtej ndonjë eksesi tradicional apo mospajtimi tradicional me realitetin e humbjes gjërat që e kanë dëmtuar dhe e dëmtojnë, demokratët ishin kundërshtarë dhe jo aq të lehtë këtë herë që e meritojnë respektin tonë për përpjekjen serioze për të arritur të paarritshmen dot për ta. U them atyre sinqerisht se më shumë se kaq nuk bënin dot, madje bënë më shumë se që mund të bënin normalisht. Sepse të mundësh Partinë Socialiste është po aq e pamundur sa të mundësh Milanin e Sacchit, Interin e Mourinhos apo Barcelonën e Guardiolës”.

Megjithatë, Rama ka kërkuar bashkëpunim me opozitën për të ardhmen e Shqipërisë.

“Mesazhi im i sinqertë për Lulzim Bashën është ky: Pranoje humbjen me dinjitet dhe me bindjen se nuk bëre dot çfarë deshe, por bëre sa munde. Miq demokratë ne jemi më të mirët, ju jeni më të mirët pas nesh. Ky është fakt dhe faktet pranohen nuk luftohen”.

“Është fiks ora për t’ia shtrirë dorën PD-së, t’ia kushtojmë të gjithë përkushtimin tonë bashkimi, jo ndasive, punëve, jo sherreve. Politika na ka ndarë pol mund të na bashkojë, politika është e vetmja fuqi e jona që mund të bëjë të dyja; edhe luftën e dhe paqen, edhe sherrin edhe mirëkuptimin, edhe përçarjen edhe bashkimin”.

Rama u zotua se do ta bëjë Shqipërinë “të ngjitet në majën që Zoti e deshi”.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!