Shkollat më Mal të Zi anulojnë mësimin për shkak të kërcënimeve me bomba

Autoritetet malazeze, të mërkurën anuluan mësimet në të gjitha shkollat në vend për shkak të kërcënimeve për paisje shpërthyese dhe bomba.

41 shkolla morën mesazhe (email-e) sipas së cilave ishin vendosur paisje shpërthyese në objekte shkollore, tha Ministria e Arsimit në Mal të Zi.

Pas konsultimeve me drejtorët e shkollave, ne morëm vendimin për të pezulluar mësimin në të gjitha shkollat,” tha zëdhënësi i kësaj ministrie, Bojan Knezheviç .

Dhjetëra oficerë policie u dërguan në shkolla për të kontrolluar për eksplozivë të mundshëm. Nuk ka pasur raportime të jetë gjetur ndonjë paisje shpërthyese. Policia tha se po heton se kush i ka dërguar kërcënimet.

Drejtoria e Policisë, bëri të ditur, se po marrin masa sigurie në shkollat e disa qyteteve lidhur me raportimet për mjete shpërthyese të vendosura mëngjesin e sotëm, si dhe aktivitete për verifikimin e këtyre pretendimeve.

Administrata e shkollave dhe personeli mësimor bashkëpunojnë me policinë dhe informojnë prindërit, ndërsa prindërit duhet të vazhdojnë komunikimin me stafin mësimdhënës dhe administratat e shkollave për të vazhduar procesin mësimor pas përfundimit të aktiviteteve policore”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë.

Përveç shkollave që kanë marrë njoftime për bomba të vendosura, një email me të njëjtin kërcënim ka mbërritur edhe në adresat e komunave Nikshiq, Tivar dhe Berane.

Presidenti Milo Gjukanoviç i cilësoi kërcënimet si një përpjekje për të destabilizuar Malin e Zi përpara se të zgjedhet qeveria e re pro-perëndimore.

Zoti Gjukanoviç , u bëri thirrje organeve kompetente shtetërore që të reagojnë urgjentisht ndaj raportimeve të fundit për vendosjen e mjeteve shpërthyese në institucionet arsimore dhe të tjera.

Nuk duhet të lejojmë që procesi më i rëndësishëm i një shoqërie, siç është arsimi, tashmë i përballur me probleme në funksionim dhe një pandemi, të vuajë për shkak të atyre që synojnë të shkaktojnë emergjenca dhe të destabilizojnë vendin përpara zgjedhjes së një qeverie të re,” tha Gjukanoviç në Twitter.

Edhe i emëruari për kryeministër Dritan Abazoviq, tha se policia duhet të veprojë në përputhje me ligjin dhe të kryejë të gjitha kontrollet dhe të inspektohen të gjitha objektet.

Edhe më 1 prill disa shkolla në Mal të Zi kanë marrë email me përmbajtje të ngjashme përmes postës elektronike. Drejtoria e Policisë, me atë rast bëri të ditur se është konstatuar se emailet janë dërguar nga serverët e ndodhur jashtë vendit dhe se po punohet për identifikimin e personave që i kanë dërguar.

Shteti i vogël ballkanik sfidoi Rusinë në vitin 2017 kur iu bashkua NATO-s. Mali i Zi ishte aleati kryesor perëndimor në Ballkan dhe ka mbështetur Ukrainën gjatë pushtimit të saj nga Rusia.

Zeri i Amerikes

Shperndaje