Gjeloshaj: Rruga e Malit të Zi në BE nuk duhet të vihet në dyshim

Kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, tha se rruga evropiane e Malit të Zi nuk duhet të vihet në dyshim për interesa të ngushta partiake dhe se Mali i Zi dhe zhvillimi i tij i mëtejshëm demokratik duhet të jenë interesi i vetëm dhe ekskluziv i të gjitha subjekteve në skenën e brendshme politike.

Procesi i integrimit evropian duhet të jetë një shtytës i pakushtëzuar i demokratizimit dhe fuqizimit të mëtejshëm ekonomik të shoqërisë malazeze”, tha Gjeloshaj.

Prandaj, siç tha ai, arritja e një konsensusi për zgjedhjen e juristëve eminent në Gjykatën Kushtetuese dhe në Këshillin Gjyqësor është një mundësi që nuk duhet humbur “për të ecur me ritmin e duhur në përmbushjen e pritshmërive që Bashkimi Evropian pret nga ne”.

Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi kanë qenë gjithmonë një partner konstruktiv dhe u kanë dhënë mbështetje të plotë të gjitha proceseve reformuese, duke u përpjekur fuqishëm për forcimin e institucioneve shtetërore dhe rendin juridik”, tha Gjeloshaj.

Mbështetja e shqiptarëve, tha ai, nuk do të mungojë as kësaj radhe, “sepse besojmë se objektivi prioritar – anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian – mund të arrihet vetëm me reforma rrënjësore”./TvTeuta/

Shperndaje