​Veseli thirrje shqiptarëve në Mal të Zi: Votoni partitë shqiptare

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka ftuar shqiptarët e Malit të Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet e 30 gushtit dhe të votojnë partitë shqiptare.

Me anë të një postimi në Facebook, Veseli është shprehur se shqiptarët atje duhet të kenë besim tek forca e votës dhe tek proceset demokratike, si rrugë e vetme për të realizuar të drejtat dhe interesat kombëtare.

“Forcimi i zëri të shqiptarëve në institucionet shtetërore të Malit të Zi, është në dobi edhe të vetë këtij shteti fqinj, sepse shqiptarët kudo ku jetojnë e mbajnë të palëkundur orientimin euro-atlantik dhe mbështesin pa kursim forcimin e liberal demokracisë dhe bashkëjetesës në diversitet”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Veselit:

Me afrimin e datës 30 gusht, ditës së zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, dëshiroj të ftoj të gjithë bashkëkombësit tanë shqiptarë që të dalin në votim dhe të votojnë partitë shqiptare. Shqiptarët duhet të kenë besim tek forca e votës si dhe tek proceset demokratike, si rruga e vetme e duhur për të realizuar të drejtat dhe interesat kombëtare. Po ashtu, duke votuar listat shqiptare, ata forcojnë peshën e tyre për të ndikuar vendim-marrjen e këtij shteti, në mënyrë që të përmbushen kërkesat e tyre legjitime.

Bashkëkombësit tanë në Mal të Zi, janë faktor i vyer konstruktiv, gjë që e kanë dëshmuar me përkrahjen e referendumit të pavarësisë, e hyrjes në NATO dhe të gjitha proceseve e reformave demokratizuese të këtij shteti mik. Forcimi i zëri të shqiptarëve në institucionet shtetërore të Malit të Zi, është në dobi edhe të vetë këtij shteti fqinj, sepse shqiptarët kudo ku jetojnë e mbajnë të palëkundur orientimin euro-atlantik dhe mbështesin pa kursim forcimin e liberal demokracisë dhe bashkëjetesës në diversitet.


Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!