Clinton fiton duelin e parë televiziv kundër Trumpit (Video)

Hillary Clinton është konsideruar fituesja e debatit të parë televiziv mes saj dhe Donald Trump për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas një sondazhi të CNN, 62% e shikuesve menduan se zonja Clinton pati një natë më të mirë se Trump, i cili bindi vetëm 27% të audiencës.

Sipas sondazhit, demokratja arriti t’i shprehë pikëpamjet e saj më qartë se Trump dhe bëri një punë më të mirë në adresimin e shqetësimeve të votuesve, me diferenca të mëdha me kandidatin republikan. Megjithatë, në garën e sinqeritetit dhe autenticitetit, ndryshimi ishte më i vogël, edhe pse në favor të Clinton.

Edhe për New York Times, nata e parë e debatit u dominua nga Hillary Clinton. Edhe pse demokratja e nisi debatin disi e pasigurt, ajo arriti ta përfundonte me tone të forta e bindëse, e madje edhe therëse. Clinton u përqendrua në argumentin se Trump nuk mund t’i besohen armë bërthamore, përsa i përket sigurisë kombëtare, ndërkohë që shtoi se rivali i saj nuk i respekton gratë.

Ndër pikat më kulmore të këtij debati, ishte përballja mbi aftësinë fizike të kandidatëve për të përballuar detyrën e presidentit, ku Clinton përmendi gjithë arritjet e saj si sekretare e shtetit, çështjen e taksave, problemet racore në vend, vlerësimin e Trump për Putin dhe luftën në Irak. Demokratja bindi me argumentat e saj më shumë se sa manjati republikan.

Edhe në sondazhin e BBC, Clinton udhëheq ndaj Trump me vetëm 2% më shumë. Në një shkrim analitik, BBC e kosnideroi përballjen një “minierë ari” për të analizuar disa nga argumentat më të përdorura nga kandidatët, të cilat u ballafaquan me fakte konkrete. BBC ka rezerva për të dy kandidatët përsa i përket pretendimeve mbi luftën në Irak, të cilën Clinton thotë se Trump e ka mbështetur, ndërkohë që nuk ka deklarata publike se republikani e ka bërë këtë gjë. Mbi çështjen e taksave, BBC i jep të drejtë Clinton teksa ajo argumenton se Trump nuk do t’i bëjë kurrë publike pasi nuk fiton aq sa thotë dhe për më tepër nuk dhuron aq shumë sa pretendon për bamirësi.

The Guardian e ka cilësuar debatin Clinton-Trump si më të çuditshmin dhe më të egrin në historinë amerikane dhe në analizën e saj përqednrohet me tepër tek gjuha e trupit. Përballja nisi me përzemërsi dhe të dy kandidatët u treguan të sjellshëm me njëri-tjetrin por nuk kaloi shumë kohë që të dy të hiqnin dorezat. Zëri i Trump u rrit në mënyrë progresive, teksa në fytyrën e tij dukej qartë zemërimi dhe pakënaqësia me fjalët e Clinton.

Deri në momentin final janë dhe dy debate të tjera ai i 9 dhe 19 tetorit. Debati u ndoq nga 100 milionë spektatorë./Koha.net/

Shperndaje