Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës deklaruan se kanë rënë dakort të përshpejtojnë hapat që do të mundësonin një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë mes dy vendeve.
Kreu i Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë gjatë së cilës, ai dhe kryeministri Edi Rama u ndalën në tema konkrete. “Në mbledhjen e katërt mes dy qeverive, e cila do të mbahet më 27 Nëntor në Korçë fokusi do të jetë te fitimi i kohës së humbur”, deklaroi zoti Rama duke shpjeguar më pas se vitin e ardhshëm “do të nisë shembja e murit absurd” që hasin qytetarët e dy vendeve në kalimin e kufirit të përbashkët. Kryeministri Rama foli për “një kufi simetrik në ngjashmëri me kufijtë mes vendeve të BE, ku kontrollet nuk do të hiqen për fare, por do të jenë aq të rralla sa dikujt mund t’i bjerë të mos kontrollohet”.
Çështja e dytë e dakortësuar mes kryeministrave është ajo e unfikimit të tregut e cila sipas zotit Rama “duhet t’i paraprijë si model unifikimit të tregut rajonal”, për të cilin vendet e Ballkanit ranë dakort në takimin e Triestes korrikun e shkuar. E në këtë kuadër përfshihet dhe konkretizimi i “një procesi të mirëstudiuar e programuar të bashkimit doganor në portin e Durrësit, i cili nuk është vetëm porti i Shqipërisë por dhe shqiptarëve të Kosovës dhe është porti që duhet të kthehet në doganë të njehsuar mes dy vendeve”, shpjegoi zoti Rama. Vendimi për këtë pritet të finalizohet në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive.
Kemi rënë dakord të fillojmë ti japim fund shpenzimeve të buxheteve tona për të mbajtur seli diplomatike veç e veç, tha Rama.
Ndërsa në lidhje me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Haradinaj ka theksuar se “Kosova ka një traditë të mirë të bashkëpunimit me Malin e Zi. Kosova ka qenë shumë e kujdesshme në momente kyçe të Malin të Zi. Tema e shënimit të kufirit mes dy vendeve është në një situatë ku Kosova po procedon në përputhje më obligimet politike që ka. Interesi ynë është që këto marrëdhënia të mira me Malin i Zi ti forcojmë.”
Rama: Viti i Skënderbeut, busull e rrugës së përbashkët Shqipëri-Kosovë
“Vitin e Skënderbeut e duam si motiv për të ripërtërirë lidhjet tona me njëri-tjetrin dhe si yll orientues të rrugës sonë të përbashkët krah për krah njëri-tjetrit në funksion të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë shqiptarët. Komisioni për organizimin e vitit të Skënderbeut do të ketë një kuadër pune të përbashkët nën kujdesin simbolik të Presidentëve të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Rama.