Ndërtimi i rrugës- nevojë jetike

Investimet në infrastrukturën e përgjithshme në trevat tona, janë më se te nevojshme.

Sidomos atë në zonat rurale përreth ku, mungesa e objekteve të infrastrukturës është tepër e theksuar. Edhe pse paralajmërohen gjithnjë investime në lëmi të ndryshme për të përmirësuar jetën e banorëve, ato gjatë gjithë kësaj kohe janë minimale. Në veçanti, infrastruktura rrugore drejtë fshatrave përreth, është në gjendje gjithnjë më të papërshtatshme pasi që dhëmbi i kohës e ka bërë të vetën, prandaj kushtet ekzistuese në rrugët lokale as për së afërmi nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme për lëvizje në drejtime të shumta. Gjendja më e pavolitshme është drejtë fshatrave më të largëta nga kryeqendra e Malësisë, Tuzi.

Edhe ata pak banorë që vazhdojnë t’i jenë besnik jetës në fshatra, janë gjithnjë në pritje të ndonjë investimi i cili, sadopak, do të përmirësonte të përditshmen e tyre. Rruga, duhet të jetë parakushti kryesor që në kohën e sotme njerëzit të mund të lëvizin, të sigurt dhe pa humbur kohë drejtë destinacioneve të dëshiruara. Aq më parë, pasi që nevojat e shumta të banorëve, për të lëvizur drejtë kryeqendrave janë të përditshme. Është koha që, së paku, rrugët lokale të jenë në gjendje sa më të mirë, por për këtë janë të domosdoshme investime përkatëse. Gjenerata e re është në dijeni nga ata më të moshuar se pothuajse të gjitha objektet e infrastrukturës në mjediset tona, janë ndërtuar me ndihmën dhe kontributin e bashkëvendësve tanë që jetojnë në mërgim. Realizimi i projekteve të shumta, është mundësuar nga mjetet e tyre e të cilat ata asnjëherë nuk i kanë kursyer për të ndihmuar vendlindjen e vet. Kohë më parë, disa bashkëvendës tanë që jetojnë në SHBA, konkretisht në Nju Jork, kanë iniciuar themelimin enjë fondacioni me qëllim të grumbullimit të mjeteve për të ndërtuar rrugën në drejtim të fshatrave në Triesh.

Inicimi i kësaj çështje është nevojë jetike për banorët që jetojnë në këtë bashkësi lokale por duke pas parasysh largësinë e këtyre fshatrave nga qendrat urbane, realizimi i këtij projekti kërkon angazhim të madh dhe mjete të konsiderueshme e të cilat nuk është e lehtë të sigurohen. Rruga ekzistuese është ndërtuar në fillim të viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar dhe nuk i plotëson kushtet dhe kërkesat e sotme për komunikacion. Vite me radhë flitet për ndërtimin rrugës nga fshati Dinoshë- Pikalë- Triesh, por ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, edhe pse pushteti vendor në KU të Tuzit, vite me radhë e ka përfshirë këtë projekt në plan -programet e veta zhvillimore, por përveç kësaj nuk është bërë ndonjë hap konkret në këtë drejtim. Para disa vitesh, bashkëvendësi ynë, Kolë P.Cacaj, investoi më tepër se 100.000$ amerikan, në zgjerimin një pjese të rrugës deri te shtëpia e kulturës “Besa”, në Stjepoh, por ajo vazhdon të jetë ashtu dhe askush nuk është angazhuar në asfaltimin e saj edhe pse zgjerimi i sajë ka kushtuar bukur shumë nga ky donator i njohur. Banorët vendas konsiderojnë se ndërtimi i rrugës drejtë kryeqendrave urbane, do t’i kthente gjallërinë kësaj treve të bukur, dikur me plotë banorë kurse, si shumë mjedise tjera të malësisë, me fshatra të cilat i ka mbuluar heshtja e vetmisë.

Të shpresojmë se me vullnetin dhe dashamirësinë, jo vetëm të bashkëvendësve tanë nga Trieshi por edhe të bashkëkombësve të shumtë kudo që jetojnë në mërgim, do të vazhdohet nisma e filluar në realizimin e këtij projekti aq të nevojshëm në trevën e Malësisë.

Kristjan Gj. DUKAJ

Shperndaje
1 Comment