Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe”- Nju Jork ndihmoi 25 studentë dhe 45 familje me nevoja të veçanta

Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” me seli në Nju Jork ka ndihmuar edhe këtë vit studentët malësorë të cilët ndjekin studimet nëpër universitete të ndryshme në vend dhe në ato të rajonit si dhe disa familje me nevoja të veçanta që ndodhen në gjendje të vështirë ekonomike.

Në ceremoninë e ndarjes së bursave, e cila u zhvillua në sallën e kuvendit të Komunës së Tuzit, shoqata në fjalë i kishte përfaqësuesit e tyre nga Malësia të cilët bënë ndarjen e bursave për njëzetepesë studentët përfitues të burës së sivjetme dhe për dyzetepesë familje me nevoja të veçanta.

Studentët malësorë këtë vit u bursuan me nga 800 dollarë amerikanë, kurse familjet me nevoja të veçanta me nga 500 dollarë amerikanë.

Njëri ndër përfaqësuesit e Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe” – Nju Jork, që bëri ndarjen e të hollave, Z. Anton Lulgjuraj, në një prononcim për gazetën “Koha Javore”  u shpreh se ky akt human që kjo shoqatë po tregon dekada me radhë, tregon dhe dëshmon dashurinë që ata kanë ndaj Malësisë dhe ndaj të ardhmes së saj.

“Të gjitha të hollat që janë siguruar vite me radhë, janë dhënë me synim që studentët nëpërmjet ndjekjes së studimeve të edukohen dhe të pajisen me dije e njohuri për të kontribuar në avancimin e të drejtave tona si etnitet i veçantë brenda shtetit të Malit të Zi. Falënderoj edhe kryetarin e kësaj shoqate Z. Nikollë Junçaj i cili po bën një punë të mrekullueshme me shoqatën që drejton, duke tentuar që të afrojë shumë shqiptarë nga Malësia që jetojnë në SHBA që edhe ata të kontribuojnë për Malësinë tonë të përbashkët”, theksoi Lulgjuraj.

Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe”- Nju Jorkpër afro tridhjetë vite ka qenë adresë për çdo nevojë dhe kërkesë që ka pasur Malësia në shumë sfera. Që nga koha e themelimit kjo shoqatë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm monetarë edhe për mbështetjen e studentëve të Malësisë, mision të cilin e vazhdon edhe sot./KohaJavore/t.u/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!