Periudha tridhjetëvjeçare në lidhje me skenën politike në Mal të Zi (1990-2020), përkatësisht parlamentarizmi, është e mjaftueshme për analiza e përfundime për zgjedhjet parlamentare, pjesëmarrjen e partive politike, pozitën, opozitën e sidomos partitë politike të pjesëtarëve të popujve pakicë. Janë pikërisht këto parti të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në demokratizimin e skenës politike në këtë mjedis multinacional e multikulturor. Në veçanti do të trajtohen modelet e sistemeve zgjedhore të cilat janë miratuar sipas shijës së shumicës parlamentare, duke mos përfillur vërejtjet dhe propozimet nga partitë politike të popujve pakicë. Dhe një qendrim i tillë dëshmon se kemi të bëjmë me një mjedis të pakonsoliduar, çështje e cila mbetet gjithnjë e hapur për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Në këtë aspekt do të trajtohet pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën parlamentare në Mal të Zi sipas pesë modeleve zgjedhore, përkatësisht sfidat e tyre në skenën politike në favor të barazisë qytetare e nacionale në këtë mjedis multinacional, sipas standardeve ndërkombëtare .Po ashtu jepen edhe propozime për modelin zgjedhor që do të ishte më i përshtatshëm dhe i pranueshëm për shqiptarët, përkatësisht përfaqësimin e tyre autentik në Mal të Zi

- Modeli i dytë zgjedhor (1992)
Duke marrë parasysh se shteti i ish-Jugosllavisë përfundoi se ekzistuari (1991), Serbia dhe Mali Zi më 27 prill 1992 formuan shtetin me emrin Republika Federative e Jugosllavisë (RFJ).
Mali i Zi në vitin 1992 miratoi Kushtetutën e cila formalisht krijoi një bazë të mirë për mbrojtjen e të drejtave të popujve pakicë. Me normë të veçantë (me nenet 67-76) është garantuar aplikimi i standardeve ndërkombëtare për realizimin e të drejtave të popujve pakicë. Por, normat kushtetutese nuk u bartën në Ligjin zgjedhor dhe kështu normat e cekura kushtetuese morën formën e normës deklarative, pa ndonjë rëndësi të veçantë.
Zgjedhjet e dyta të parakohshme parlamentare në Mal të Zi u mbajtën më 20 dhjetor 1992, me sistem tjetër zgjedhor, sepse kësaj here Mali i Zi u shndërrua në një njësi zgjedhore, ku pragu elektoral ishte 4%, ndërsa janë zgjedhur 85 deputetë.
Në këto zgjedhje shqiptarët të përfaqësuar nga subjekti i tyre politik Lidhja Demokratike në Mal të Zi (LDnëMZ) në zgjedhje dolën pa koalicion si para dy viteve, dhe ndonëse fituan 11.388 vota, nuk e arritën 4%, sepse iu munguan 66 vota, andaj mbeten pa përfaqësues në Parlament. Këto zgjedhje janë organizuar në atmosferë të presioneve të ndryshme, që u dëshmua me bllokimin e disa vendvotimeve siç ishte rasti në Malësi, skenar ky i realizuar nga pushteti (PDS), duke bërë çmos që shqiptarët të mos jenë të përfaqësuar në parlamentin republikan.
Ndonëse ndaj parregullsive në ditën e votimeve, nga LDnëMZ u dërguan ankesa në të gjitha instancat, madje deri në Gjykatën Kushtetuese, duke dokumentuar manipulimin zgjedhor, por ankesat u refuzuan.
Ishin këto zgjedhje me presione të ndryshme nga ana e pushtetit ndaj votuesve, manipulimeve para dhe në ditën e zgjedhjeve, ku lirisht mund të themi se këto zgjedhje ishin të manipuluara, jo të lira dhe jodemokratike.
3.Modeli i tretë zgjedhor (1996)
Në saje të rrethanave shoqërore të krijuara në Mal të Zi, si rezultat i unifikimit të dy subjekteve politike në një koalicion “Narodna slloga” ku bënin pjesë dy subjekte politike Lidhja Liberale e Mali të Zi(LSCG) dhe Partia Popullore (Narodna Stranka), me pikëpamje të kundërta politike, por me qëllim për të dominuar në skenën politike në Mal të Zi, partia në pushtet (PDS), duke parë rrezikun në zgjedhjet parlamentare (3.11.1996), vendosi të ndryshojë Ligjin zgjedhor. Ishte ky modeli i tretë që po aplikohej në Mal të Zi, ku kësaj here nuk kemi të bëjmë me një njësi zgjedhore, por ndarjen e territorit të Republikës në 14 njësi zgjedhore, që u botua në Gazetën zyrtare të RSMZ, nr.21/96. Pragu elektoral ishte 3%, ndërsa Parlamenti kishte 71 deputetë.
Ishte ky një ndryshim perfid radikal dhe i papritur për të dobësuar rivalët politikë. Duke parë njësitë zgjedhore, për ne shqiptarët një ndarje e tillë ishte e favorshme, sepse u krijua mundësia të fitohen katër deputetë. Kështu shqiptarët fituan një deputet në njësinë zgjedhore nr.8 në Podgoricë, që përfshinte pothuaj tërësisht territorin e Malësisë (BL Milesh, Tuz, Vuksanlekaj-Narhelm, Vrane, Hot e Triesh). Ndërsa tre deputetë u fituan në njësinë zgjedhore nr.9 në Ulqin, ku përveç Komunës së Ulqinit, kësaj njësie i ishin bashkangjitur edhe vendvotimet e Krajës (BL Ostros, përkatësisht në Ostros, Skje, Arbnesh, Ostrosi i Vogël, Ostrosi i Madh, Kështënja, Boboshti dhe Ftjani).
Një veprim i tillë nga ana e pushtetit ishte intrigues për të dëshmuar se gjoja janë treguar zemërgjerë ndaj shqiptarëve, ani pse në këto njësi zgjedhore kanë mbetur jashtë disa vendbanime, por edhe tërësisht ata në komunën e Plavës dhe të Rozhajës, por edhe të Krajës (BL Gjuraç). Pra, kemi të bëjmë me një formulë të llogaritur për të favorizuar partinë në pushtet (PDS), që u dëshmua ditën e zgjedhjeve, duke dalur partia e parë dhe fituese e zgjedhjeve.
Në këto zgjedhje shqiptarët kësaj here konkuruan me dy subjekte politike: LDnëMZ e cila fitoi 5.289 vota dhe 2 mandate të deputetëve dhe UDSH që fitoi 3.849 vota, dhe dy mandate të deputetëve. Nga kjo del se gjithsej partitë shqiptare fituan 9.138 vota, që krahasuar me zgjedhjet e vitit 1992 ishin 2.000 vota më pak. Duhet cekur se në saje të Ligjit zgjedhor votat e shqiptarëve në Plavë-Guci, Rozhajë apo gjetiu në Mal të Zi, nuk kanë pasur mundësi të jenë llogaritur si pjesë e tyre të njësive zgjedhore. Nuk ka dilemë se po të ekzistonte bartja e këtyre votave, numri i përgjithshëm për dy subjektet politike të shqiptarëve (LDnëMZ, UDSH), do të kishte qenë i përafërt si katër vite më parë, madje edhe më i lartë. Por, sidoqoftë kësaj here shqiptarët në Parlamentin e Malit të Zi u përfaqësuan me 4 deputetë, duke rikthyer numrin e tyre nga viti 1990.
4.Modeli i katërt zgjedhor (1998)
Pas zgjedhjeve të vitit 1996, përkatësisht në vitin 1997, në partinë në pushteti (PDS) u paraqiten divergjencat politike në kryesinë e saj, që ndikuan në ndarjën e saj në dy pjesë. Kemi të bëjmë me ndarjen definitive në dy opsione, proserbe dhe atë promalazeze. Një ndarje e tillë e këtij subjekti politik që ishte vazhduese e LKJ-së, ishte në favor të demokracisë duke humbur monopolin politik nga miratimi i pluralizmit (1990). Ndarja e PDS-së në dy parti ndodhi më 1 shtator 1997, ku kjo vërifikoi M.Gjukanoviqin si udhëheqës, ku me opozitën e atëhershme parlamentare nënshkruan Marrëveshjen për minimumin e parimeve për zhvillimin e strukturave demokratike në Mal të Zi, e cila përbënte një bazë të mirë për përmirësimin e infrastrukturës zgjedhore. Në saje të kësaj marrëveshjeje, opozitës iu garantua mbajtja e zgjedhjeve të lira si dhe riorganizimi i ndarjes territoriale në Mal të Zi.
Duke bësuar në tekstin e Marrëveshjes, atë e nënshkruan edhe përfaqësuesit e dy partive politike shqiptare (LDnëMZ, UDSH). Në vitin 1998, në bazë të parimeve të parapara në Marrëveshje, aprovohet Ligji i ri zgjedhor për zgjedhjen e këshilltarëve dhe të deputetëve (Gazeta zyrtare e RMZ, nr.4/98). Parlamenti i ardhshëm do të këtë 78 deputetë, ndërsa pragu zgjedhor është 3%.
Në Kuvendin e Mali të Zi më 18 shkurt 1998, u miratua Vendimi për përcaktimin e vendeve zgjedhore për zgjedhjen e 5 deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi (Gazeta zyrtare e RMZ,nr.5/98). Fjala është për “njësinë e veçantë zgjedhore” që kishte të bënte enkas për vendbanimet shqiptare, edhe pse zyrtarisht nuk emërohej si e tillë. Sipas kësaj norme zgjedhore, teorikisht ekzistonte mundësia që shqiptarët të fitonin 5 deputetë, por realiteti dëshmoi se partia në pushtet (PDS), këtë çështje e ka llogaritur në favorin e vet, sepse në këto vendvotime kanë pasur mundësi të konkurojnë edhe partitë tjera duke bartur votat e tilla në nivel republike. Pikërisht nga një mundësi e tillë, në këto zgjedhje (31 maj 1998) nga 5 mandate të deputetëve, shqiptarët fituan 2 mandate, LDnë MZ fitoi 5.425 vota ndërsa UDSH 3.529 vota, kurse PDS fitoi 3 mandate të deputëve, duke qenë në përparësi të dukshme ndaj subjekteve tjera politike në Mal të Zi.
Në këto zgjedhje vërehet rënia drastike e votuesve të partive shqiptare, sepse për ata votuan më pak së 9.000 votues. Në mbështetjetjen e elektorati shqiptar për PDS-së, ka ndikuar ndarja e këtij subjekti politik në dy pjesë e sidomos duke u ndarë nga politika hegjemoniste e S.Millosheviqit. Këto zgjedhje kanë ndikuar në kohezionin politik të shqiptarëve, çështje e cila paraqet fenomen për hulumtim të veçantë.
5.Modeli i pestë zgjedhor (2012)
Kemi të bëjmë me modelin e ri, i cili ishte i panjohur deri atëherë në skenën politike në Mal të Zi, si përnga forma ashtu edhe nga përmbajtja e tij. Në lidhje me ndryshimet në Ligjin zgjedhor, shumica parlamentare vendosi që ligjin përkatës ta ndryshojë gjatë vitit 2011, i cili u zbatua në praktikë në zgjedhjet e ardhshme.
Si shkas i ndryshimit të Ligjit zgjedhor ishin zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 29 mars 2009, ku shqiptarët nga 5 mandate të deputetëve, fituan 4, ku për ta votuan 14.008 votuesëve shqiptarë, që është numri më madh i votave të fituara pas vitit 1990. Një atmosferë e tillë dhe mbeshtetje nga elektorati shqiptar dhe numri prej 4 mandatësh të deputetëve, shqetësoi partinë në pushtet, si dhe opozitën serbe, andaj vendosën të ndryshojnë Ligjin zgjedhor, për të ulur numrin e mandatëve të deputetëve shqiptarë të cilët në të ardhmen do të mund të bëhën përcaktues në formimin e shumicës parlamentare në Mal të Zi.
Pikërisht më 8 shator 2011, Kuvendi i Malit të Zi, me votat e PDS-së dhe partive serbe, miratoi ndryshimet në Ligjin zgjedhor për deputetë e këshilltarë, duke eliminuar “të drejtat e arritura” të shqiptarëve në proceset e mëparshme zgjedhore. Duke parë se një ligj i tillë është në kundërshtim me të drejtat nacionale dhe është diskriminues për shqiptarët, në procesin e votimit deputetët shqiptarë, e braktisën sallën në mënyrë demonstrative, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me mbivotim e jo me parime demokratike. Në saje të këtij ligji, shqiptarët humbën “njësinë e veçantë” zgjedhore e cila ishte në funksion nga viti 1998, e cila ishte e favorshme për shqiptarët, por zgjedhjet e vitit 2009 prishën ekulibrin e votuesve në disavantazh për PDS-në, andaj vendosën ta ndryshojnë atë. Në vend që pushteti të zhvillonte një debat në lidhje me këtë çështje me përfaqësuesit e popujve pakicë apo pakicave nacionale, ata u vunë para aktit të kryer, sepse nuk u konsultuan fare dhe u mbivotuan, duke miratuar këtë ligj diskriminues jashtë vullnetit të tyre.
Ligji zgjedhor i miratuar parasheh Malin e Zi një njësi zgjedhore, ndërsa për pjesëtarët e popujve pakicë apo pakicave nacionale nëse asnjë parti e cila merr pjesë në zgjedhje nuk kalon pragun elektoral prej 3%, atëherë, për të marrë pjesë në ndarjen e mandateve duhet të fitojë 0.7% të votave të vlefshme, si një listë e përbashkët zgjedhore. Një formulim i tillë mundëson deri në 3 mandate të deputetëve. Kemi të bëjmë me një normë diskriminuese jo vetëm për partitë shqiptare, por edhe për pjesëtarët e popujve të tjerë pakicë që përbëjnë deri në 15% të popullsisë në Mal të Zi.
Se ky ligj zgjedhor ishte diskriminues me formulimin e tij, u dëshmua në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 14 tetor 2012, ku shqiptarët në zgjedhje dolën me katër lista zgjedhore. Subjektet shqiptare morën këto vota: Forca për Bashkim 5.244 vota (1 mandat deputeti), Koalicioni Shqiptar 3.824 vota (1 mandat deputeti), UDSH 2.848 (pa mandat të deputetit) vota dhe Aleanca Rinore Shqiptare 531 vota (pa mandat të deputetit), apo gjithsejt 12.472 vota.
Këto zgjedhje dëshmuan se Ligji zgjedhor është diskriminues ku u fituan dy mandate të deputetëve, ndërsa dy subjektet tjera pjesëmarrëse mbetën pa mandate, duke i djegur 3.379 vota, të cilat të bashkuara me votat e tjera shqiptare do të prodhonin mandatin e tretë të sigurt, pra maksimumin e mundshëm sipas këtij Ligji zgjedhor.
Zgjedhjet parlamentare në vitin 2016, dëshmuan në mënyrë praktike se kemi të bëjmë me ligj diskriminues, ku shqiptarët morën pjesë në zgjedhje me tre lista zgjedhore: “Shqiptarët e vendosur”(Forca, UDSH, ASH) ku fituan 4.854 vota dhe 1 mandat të deputetit, “Koalicioni Shqiptar”(PD,IQ, LDnëMZ, Perspektiva), 3.394 vota, pa mandat të deputetit dhe Lista e Lidhjes Demokratike Shqiptare 1.542 vota pa mandat të deputetit.
Ndërsa në zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 30.8.2020, partitë shqiptare konkuruan me dy lista zgjedhore: “Lista Shqiptare”,6.488 vota, 1 mandat të deputetit dhe “Koalicioni Shqiptar”, 4.675 vota, 1 mandat të deputetit. Ndonëse në këto zgjedhje shqiptarët dolen në dy lista zgjedhore dhe fituan gjithsej 11.163 vota, përkatësisht 1.373 vota më tepër se në vitin 2016, mandati i deputetit të tretë mbeti mision i pamundur me këtë ligj zgjedhor!
Duhet cekur se në përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, përfaqësuesit e partive nacionale të shqiptarëve dhe të boshnjakëve, kanë mbetur jashtë Qeverisë së re, që është rasti i parë pas dy dekadave në Mal të Zi.
Në kërkim të të drejtave të mohuara
Në vend që të drejtat e arritura të mbrohen dhe të avancohen, në Mal të Zi, ndodhë pikërisht e kundërta, ato mohohen sipas vullnetit politik të pushtetit, ku Ligji zgjedhor është dëshmi transparente e një konstatimi të tillë.
Pikërisht një dukuri e tillë ka ndodhur me mosrespektimin e Ligjit të pakicave në të cilin theksohet së të drejtat e arritura nuk mund të cenohen. Por, pikërisht një ligj i tillë nuk është respektuar me rastin e miratimit të Ligjit zgjedhor në vitin 2011, duke iu mohuar shqiptarëve „njësinë e tyre zgjedhore“,e cila jepte pesë deputetë.
Ligji i ri zgjedhor shqiptarëve permes partive nacionale iu mundëson maksimalisht të jenë të përfaqësuar me tre deputetë. Pra, nga 4 deputetë sa kishin nga zgjedhjet e vitit 2009, me këtë ligj të ri iu mundësohet të kenë maksimalisht 3. Këtu qëndron edhe problemi, sepse katër deputetët shqiptarë që ishin më parë, si duket përbënin rrezik për pushtetin. Por, nëse analizohet Ligji zgjedhor ekzistues, del qartë së shqiptarët përmes subjekteve të tyre nacionale, nëse bëjnë koalicione parimore, mund të arrijnë të fitojnë 2 deputetë, ndërsa i treti mbetet si mundësi teorike.
Me koordinim eliminohen dështimet
Pikërisht, nga moskoordinimi i subjekteve politike të shqiptarëve, në saje të infektimit nga virusi i bajraktarizmit dhe liderizmit në vend që të dalin në zgjedhje me një apo dy lista zgjedhore, ata dolen me 3-4 lista zgjedhore, duke djegur votat dhe mos arritur objektivin e dëshiruar. Dhe një konstatim i tillë u dëshmua në zgjedhjet vijuese në vitin 2012, ku subjektet politike shqiptare edhe pse arriten të fitojnë 12.500 vota, fituan vetëm 2 deputetë, ndërsa në vitin 2016 kemi një rënie drastike në 9.500 vota dhe u fitua vetëm 1 deputet.
Ishte ky një zhgënjim i shqiptarëve, që është rezultat i Ligjit zgjedhor diskriminues si dhe mosarritjes së kompromisit në mes vet subjekteve nacionale të shqiptarëve, nga del se më së shumti përfitoi PDS-ja që ishte projektuesi i një ligji të tillë zgjedhor. Por, nëse e krahasojmë numrin e votave për një deputet për subjektet e tjera në Kuvendin e Malit të Zi, del qartë se deputeti shqiptar ka kushtuar më shumë se deputetët e subjekteve të tjera, që është pasojë e Ligjit zgjedhor. Pikërisht, këtu qendron mashtrimi politik me sintagmen e njohur „diskriminimi pozitiv“, që më me vend do të ishte të thuhej diskriminimi ligjor për shqiptarët në këtë mjedis.
Nuk ka dilemë se ky ishte qëllimi i pushtetit, që shqiptarët të jenë të përfaqësuar sa për sy e faqe, mundësisht vetëm me një deputet, dhe ai të jetë nën ombrellën e pushtetit. Pra, e tërë loja politike kishte qëllimin që të zvoglohet pesha politike e shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi, sepse numri i tyre i lartë ka pasur mundësi të jetë edhe vendimtar për miratimin e ligjeve të ndryshme.