Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati ka përshëndetur miratimin e projektligjit në Parlamentin e Malit të Zi i cili Tuzin e bënë komunë të plotë.
Ai uroj të gjithë shqiptarët në Mal të Zi për këtë arritje dhe shprehi besimin se do të dëshmojnë përgjegjësinë e duhur për të garantuar suksesin e kësaj komune të re.
Tuzi Komunë më vete:
Përshëndesim miratimin në Parlamentin e Malit te Zi të Projektligjit për Ndryshime dhe plotësime në ligjin për organizimin Territorial, i cili i hap rrugën zyrtarizimit të Tuzit si Komunë më vete.
Ky akt, si rrjedhojë e marrëveshjes së koalicionit qeveritar, realizon një aspiratë të kahershme të shqiptarëve në Mal të Zi dhe u mundëson atyre përqëndrimin e të gjitha kapaciteteve menaxhuese dhe ekonomike për zhvillim.
Me këtë rast përshëndesim gjithashtu qeverine malazeze dhe të gjithe faktorët politikë që dhanë kontributin e tyre në arritjen e kësaj të drejtë për popullsinë shqiptare.
Siç u theksua dhe gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Rama në Mal të Zi, Tuzi më vete ka potencialin të krijojë sinergji të reja në zbatimin e projekteve të parashikuara nga dy qeveritë për zhvillimin e brezit ndërkufitar.
Perfitoj nga rasti të uroj të gjithë shqiptarët në Mal të Zi për këtë arritje dhe shpreh besimin se ata do të dëshmojnë përgjegjësinë e duhur për të garantuar suksesin e kësaj komune të re.