Kuvendi i Malit të Zi votoi hyrjen në NATO

Me vendim unanim të 46 deputetëve të pranishëm në sallë, Kuvendi i Malit të Zi miratoi sot vendimin për hyrjen e vendit në NATO.

Përveç koalicionit qeverisës (PDS, SD,Partia Boshnjake, ”Shqiptarët e Vëndosur” IQ Kroate, PL), anëtarësimin e Malit të Zi në NATO e mbështeten edhe deputetët e PSD-së (SDP), të cilët ishin të vetmit nga partitë opozitare që morën pjesë në seancën parlamentare në Cetinje.

Derisa mbahej seanca, jashtë objektit të Kuvendit është mbajtur një protestë e Frontit demokratik dhe kundërshtarëve të anëtarësimit të Malit të Zi në Aleancën Veri-atlantike.Ata thanë se nuk do ta njohin vendimin e Parlamentit.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq tha se vendi pas pranimit në NATO do të mbështesë fuqishëm proceset integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Këta deputetë sot kanë privilegj historik. Dita e sotme hyn në historinë e ndritshme të Malit të Zi”, ka thënë Markoviq.

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq shprehu keqardhje që në seancë mungon një pjesë e opozitës, e cila kundërshton anëtarësimin e vendit në NATO.

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genc Nimanbegu tha se për partitë politike shqiptare që janë pjesë e kolaicionit ”Shqiptarët e Vendosur” kjo ishte në objektivat e tyre nga themelimi. Legjitimiteti i marrjes së vendimit për hyrje në NATO është i padiskutueshëm, tha Nimanbegu.

Ndërsa deputeti i PDS-së, Miodrag Radunoviq tha se Mali i Zi meriton vendin në mesin e familjes më të zhvilluar të vendeve të botës.

“Pres që tensionet politike të jenë të një intensiteti më të vogël pas hyrjes në NATO. Me hyrjen në NATO do të neutralizojmë iluzionet e atyre që mendojnë se mund të shkatërrojnë pavarësinë e Malit të Zi”, tha ai./Malesia.ME/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!