Partia e Sheshelit do garojë në Zgjedhjet në Mal të Zi

Partia ultra-nacionaliste Radikale Serbe planifikon të ringjallë aktivitetet e saj në Mal të Zi para zgjedhjeve të tetorit, duke premtuar një fushatë të ashpër kundër anëtarësimit në BE dhe NATO.

Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit planifikon të riaktivizojë veten në Mal të Zi para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të programuara të mbahen më 16 tetor.

Zëvendëskryetarja e partisë, Vjerica Radeta, tha se fushata do të fillojë në kryeqytetin Podgoricë, ku radikalët kanë gjetur hapësira dhe ku bordi malazez i partisë ka filluar “përgatitje serioze për zgjedhjet”.

Shesheli do ta vizitojë Malin e Zi gjatë fushatës dymujore zgjedhore, por Radeta nuk tregoi se kur do të ndodhë kjo.“Përsa i takon vizitës së Sheshelit, ai do ta informojë vetë publikun para se të niset për në Mal të Zi”, tha Radeta për BIRN.

Partia e Radikalëve Serbë, emri siç është regjistruar partia në Mal të Zi, ka ekzistuar shumë pak në jetën politike në vend për vite me radhë sepse lideri i saj ishte i burgosur në Hagë.Dikur një forcë e rëndësishme pro-serbe e opozitës në Mal të Zi, gjatë viteve 1990 partia kishte disa deputetë në Parlament dhe disa përfaqësues në këshillin e qytetit të Podgoricës.

Në zgjedhjet e brendshme partiake në qershor, radikalët në Mal të Zi zgjodhën një lidership të ri dhe lajmëruan nisjen e një fushate të re anti-BE dhe anti-NATO, një kthim në ideologjinë nacionaliste serbe dhe ringjalljen e programit të partisë, i cili kërkon marrëdhënie me të afërta me Serbinë dhe Rusinë.Partia përkrah mbrojtjen e identitetit dhe gjuhës kombëtare serbe dhe shkrimin cirilik në Mal të Zi, por edhe dëshiron që autoritetet të lejojnë shtetësi të dyfishtë për ata që duan të kenë si shtetësi malazeze ashtu edhe pasaporta serbe.

Në mars, Gjykata e Hagës e shpalli Sheshelin të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, persekutim dhe dëbim në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi.Në zgjedhjet e 24 prillit në Serbi, radikalët jo vetëm që hynë përsëri në Parlament, por u shndërruan në partinë kryesore opozitare me 21 nga 250 vende në Parlament./Malësia.ME/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!