​Gjukanoviq përshëndet Kongresin e Partisë Socialiste të Shqipërisë

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka përshëndetur Kongresin Zgjedhor të Partisë Socialiste të Shqipërisë, duke theksuar se “Kongresi juaj është ngjarje e rëndësishme si për partinë ashtu edhe për vendin tuaj”.

“Kam kënaqësinë t’ju uroj nga ana e Partisë Demokratike socialiste të Malit të Zi dhe nga ana ime për punën e suksesshme dhe cilësore të Kongresit, dhe suksese në të gjitha aktivitetet e ardhshme politike të Partisë suaj. Partia juaj Socialiste në fillim të shekullit 21 po jep një kontribut domethënës për ndërtimin e një Shqipërie të re, Europiane”, deklaron Gjukanoviq.

Ai shprehet se “pres që kongresi të konfirmojë angazhimin tuaj në procesin e reformave që do t’i mundësojë Shqipërisë dinamikën e duhur ekonomike dhe zhvillimin e demokracisë. Kjo është e vetmja mënyrë për të arritur qëllimin më të rëndësishëm të çdo politike përparuese: përmirës imi i cilësisë së jetës për qytetarët e vendit tuaj”.

Presidenti i Malit të Zi shpreh besimin se “kjo do të thellojë besimin e Këshillit Europian, që në të ardhmen më të afërt duhet të marrë vendimin të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

“Ky vendim do të jetë një impuls i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor e në të njëjtën kohë stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e Evropës në nivel botëror, sepse Evropa është shtëpia jonë e përbashkët”, thekson ai.

Gjithashtu, Gjukanoviq thekson se “marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Shqipërisë janë një shembull i miqësisë mes fqinjëve të mirë dhe respektit të dyanshëm jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë”.

“Minoriteti malazez në Shqipëri dhe minoriteti shqiptar në Mal të Zi kontribuojnë në mënyrë shumë të veçantë për këtë marrëdhënie dhe përfaqësojnë lidhjen më të vlefshme të miqësisë mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Politikat shtetërore në të dy vendet tona kanë treguar jo vetëm përgjegjshmërinë tonë për stabilitetin e rajonit, por edhe pjekurinë për të punuar së bashku e për të harruar historitë e vështira të Ballkanit. Kemi treguar edhe aftësi të mira gjykimi dhe aftësi për tu përballur me të gjitha sfidat e së ardhmes në rrugën tonë drejt një qëllimi final: anëtarësimi i Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Kam kënaqësi të madhe kur shoh që partia juaj simotër jep një kontribut kaq të rëndësishëm në këto politika. Në fund, do të doja të përshëndesja miqësisht të gjithë pjesëmarrësit në Kongres”, u shpreh ai.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!