Senati amerikan ratifikon anëtarësimin e Malit të Zi në NATO

Senati amerikan ratifikoi mbrëmë Protokollin për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Për ratifikimin e Protokollit votuan 97 senatorë, ndërsa dy ishin kundër.

Pasi Senati mbështeti Protokollin, nënshkrimin e tij për aprovimin e SHBA-ve që Mali i Zi të bëhet pjesë e Aleancës duhet ta bëjë presidenti amerikan Donald Trump.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë anëtarja e 27-të e NATO-s që ratifikoi Protokollin për anëtarësimin e Malit të Zi në këtë organizatë.

Ka mbetur që këtë dokument ta ratifikojë vetëm edhe Parlamenti i Spanjës. Pritet që procedura në Spanjë të përfundojë deri në fund të javës së ardhshme.

Pasi të gjithë anëtarët të përfundojnë procesin e ratifikimit, nevojitet që edhe Parlamenti i Malit të Zi të miratojë këtë dokument, me çka vendi edhe formalisht bëhet anëtar i ri i NATO-s.

Shpallja zyrtare e Malit të Zi, si anëtar i 29-të i NATO-s pritet të bëhet në Samitin në Bruksel, që do të mbahet në muajin maj./Malësia.ME/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!