Thirrja për Armatosje, PS padit në Prokurori Berishën (Video)

Partia Socialiste ka paditur në prokurori ish-kryeministrin Sali Berisha, pas thirrjeve të tij një javë më parë në sallën e parlamentit drejtuar popullatës për tu armatosur.

Ndonëse Berisha tha më pas se thirrja drejtuar qytetarëve të armatosen kishte si qëllim hartimin e një ligji për armatosjen e popullatës për t’u mbrojtur nga bandat kriminale të qeverisë, maxhoranca e konsideroi si thirrje për luftë civile dhe vepër të rëndë penale.

Nga ana e saj Byroja e Kuvendit vendosi javën e kaluar përjashtimin e zotit Berisha me 10 ditë nga punimet e parlamentit. Në shenjë solidariteti edhe grupi parlamentar i PD vendosi që të bojkotojë punimet e kuvendit, për 10 ditë, po aq sa ishte dënuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas ligjit shqiptar thirrja publike për armatosjen e popullatës dënohet me 5 – 10 vjet heqje lirie. Ngjarja ka tensionuar marrëdhëniet mes maxhorancës dhe opozitës. Kryeministri socialist Edi Rama i konsideroi deklaratat si një tentativë për të penguar Reformën në Drejtësi.

Nënkryetari i grupit Parlamentar të PS Taulant Balla ka dorëzuar sot kallëzimi penal në Prokurorinë e Përgjithshme që mban firmat e 10 deputetëve socialistë.

Shperndaje